back to top
24.5 C
Tirana
E hënë, 11 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësia“Dua 200”/ Prokurori i SPAK lexon mesazhet e Metës me Ismailajn

“Dua 200”/ Prokurori i SPAK lexon mesazhet e Metës me Ismailajn

Në seancën gjyqësore në themel ndaj Ilir Metes, prokurori i SPAK ka paraqitur prova nga dosja hetimore që, sipas akuzës, lidhen me aferën CEZ-DIA, lobimet në SHBA dhe marrëdhëniet me biznesmenin Ardian Shatku.
Sipas prokurorit, Meta ka pranuar se njeh Kastriot Ismailajn, ndërsa në dosje janë paraqitur edhe komunikime intensive mes tyre.

“Meta ka pranuar se e njeh Kastriot Ismailajn, ka mesazhe intensive. Meta në vitin 2009 i ka çuar SMS dhe i ka shkruar ‘dua 200’”, u shpreh prokurori gjatë leximit të provave.

Sipas SPAK, Meta dhe Monika Kryemadhi kanë marrë përsipër të ushtrojnë ndikim në lidhje me çështjen CEZ-DIA, me qëllim futjen në treg të kompanisë së Ardian Shatkut.
Prokuroria pretendon se ka komunikime të vazhdueshme dhe takime të zhvilluara mes palëve, përfshirë takime në Marok dhe në SHBA, që sipas akuzës lidhen me interesat e biznesit për shtrimin e fibrave optike në Shqipëri.
Në sallën e gjyqit u pretendua gjithashtu se Meta dhe Kryemadhi kanë ndikuar tek ish-ministri Edmond Haxhinasto për nxjerrjen e urdhrit nr. 1814, datë 20 mars 2015, që lidhej me ndryshimin e procedurave për shtrirjen e fibrave optike.
SPAK deklaroi se në komunikimet e administruara në dosje, Kryemadhi i kishte shkruar biznesmenit Shatku:

“Ne duam kontratën”, duke nënkuptuar sipas prokurorisë edhe përfshirjen e Metës.

Sipas organit të akuzës, marrëdhënia mes Metës dhe kompanisë së Shatkut lidhet edhe me lobimet politike të Lëvizja Socialiste për Integrim në SHBA.
Prokurori pretendoi se LSI kishte lidhur marrëveshje me kompani lobimi, duke deklaruar zyrtarisht se kontrata kishte zgjatur një vit e katër muaj, ndërsa sipas hetimeve rezulton se ajo kishte funksionuar vetëm për një muaj, me një pagesë prej 15 mijë dollarësh të kaluar nga llogaritë përkatëse.
Në vijim të seancës, SPAK deklaroi gjithashtu se Kryemadhi kishte përdorur rreth 234 mijë dollarë nga kartat bankare të biznesmenit Ardian Shatku.
Çështja ndaj Metës dhe personave të tjerë të përfshirë vijon të shqyrtohet në GJKKO, ndërsa pritet që në seancat e ardhshme të paraqiten prova dhe dëshmi të tjera nga organi i akuzës.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat