Mandatet dhe Imunitetin ka vijuar diskutimet në parim për ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, duke marrë në konsideratë edhe vendimin e Gjykata Kushtetuese.
Përveç amendamenteve të propozuara nga Taulant Balla, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi prezantoi edhe disa amendime të tjera që mbajnë firmën e tij.
Gjatë mbledhjes, Peleshi paraqiti ndryshimet e propozuara në nenin 28 të rregullores, ku parashikohen përjashtime për projektligjet që lidhen me procesin e integrimit europian.
“Në fund të pikës 5 shtohen fjalët: ‘me përjashtim të projektligjeve që synojnë përafrimin e legjislacionit, marrëveshjet që lidhen me zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe/ose detyrimeve që dalin nga procesi i negociatave të anëtarësimit, kur shqyrtimi i tyre është i nevojshëm për respektimin e afateve që rrjedhin nga procesi i negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian’”, deklaroi Peleshi.
Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi kundërshtoi ndryshimet e propozuara, duke argumentuar se procedurat e përshpejtuara cenojnë transparencën dhe konsultimin publik.
“Procedura e përshpejtuar me një javë e miratimit të ligjeve përafruese të BE-së cenon transparencën dhe konsultimin publik”, u shpreh Bardhi.
Si kundërpërgjigje, Taulant Balla argumentoi se Kushtetuta e lejon miratimin me procedurë të përshpejtuar të ligjeve që lidhen me integrimin europian dhe se kufizimet aktuale duhet të hiqen.
“Kushtetuta ta ka përcaktuar se cilat nuk bëhen me procedurë të përshpejtuar. As neni 81 dhe as neni 83 nuk i përjashtojnë ligjet e përafrimit të legjislacionit. Për pasojë, kufizimi që Kuvendi ka vendosur ne mendojmë se duhet ta heqim”, deklaroi Balla.
Në përfundim të diskutimeve, me propozim të Ballës dhe me synimin për të gjetur një formulim konsensual me opozitën, u vendos që ndryshimet në rregulloren e Kuvendit të mos hidhen ende në votim në parim.
Diskutimet mes palëve pritet të vijojnë në mbledhjet e ardhshme, në përpjekje për të arritur një dakordësi mbi procedurat parlamentare që lidhen me ligjet e integrimit europian.



