Tensione dhe debate janë regjistruar në seancën plenare të Kuvendit, pasi ish ministri Ulsi Manja kërkoi fjalën për replikë pas deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, me argumentin se emri i tij ishte përmendur nga kryedemokrati.
Kërkesa e Manjës u refuzua nga drejtuesi i seancës, Niko Peleshi, i cili theksoi se diskutimet po zhvilloheshin me minutazh të përcaktuar dhe se nuk mund të bëheshin ndërprerje për replika.
“Nuk mundet, jemi në diskutime me minutazh të caktuar, në orën 16:00 duhet të kenë përfunduar të gjithë diskutimet. Unë nuk jam Niko”, u shpreh Peleshi duke iu drejtuar Manjës.
Pas kësaj deklarate, deputetët e opozitës shpërthyen në duartrokitje dhe ovacione në sallën e Kuvendit.
Peleshi vijoi më tej duke sqaruar se rregullorja nuk lejonte ndërprerje për procedurë apo replikë gjatë këtij formati diskutimi.
“Zoti Manja e tha që në fillim, nuk ndërpritet për procedurë dhe replikë. Kur t’ju vijë radha do të flisni. Me rregullore e kemi me minutazh të dakordësuar. Nuk mund ta bëni këtë gjë, kur t’ju vijë radha”, deklaroi ai.
Më pas, drejtuesi i seancës ia dha fjalën kreut të grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.



