Nga Marjana DODA
Në një periudhë kur rendi ndërkombëtar po përjeton tronditje të thella gjeopolitike, me aleanca që po riformësohen dhe të tjera që po zbehen, e ndërsa konfliktet ushtarake dhe luftërat tregtare po shtojnë pasigurinë globale, vizita e Presidentit amerikan Donald Trump në Pekin merr një peshë të veçantë historike.
Me ftesë të Presidentit kinez Xi Jinping, pas një viti të karakterizuar nga tensione të forta dhe përplasje mbi tarifat tregtare të vendosura nga administrata e re amerikane, Donald Trump mbërriti mbrëmjen e 13 majit në kryeqytetin kinez. Presidenti amerikan u shoqërua nga një delegacion i nivelit të lartë, përfshirë Sekretarin Marco Rubio, Sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, si dhe përfaqësues të rëndësishëm të botës ekonomike dhe teknologjike amerikane. Përbërja e këtij delegacioni tregon qartë se bisedimet nuk kufizohen vetëm në diplomaci formale, por synojnë të hapin rrugën për një rikonfigurim të ri të ekuilibrit ekonomik, teknologjik dhe strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Padiskutim, në një kohë kur rendi ndërkombëtar po përballet me tensione të shumta nga lufta në Ukrainë dhe kriza në Lindjen e Mesme, te rivaliteti teknologjik dhe pasiguria ekonomike globale, takimi midis dy liderëve të fuqive më të mëdha të botës mbart një domethënie që shkon përtej marrëdhënieve dypalëshe.
Duke e ndjekur politikën e jashtme të Kinës gjatë dekadës së fundit, ajo që vë re si tipar kryesor është koherenca dhe konsistenca në vendimmarrjen politiko-diplomatike të Pekinit. Në këtë kuadër, nuk ka surpriza të mëdha as në deklaratat që dolën gjatë këtij samiti dyditor, të mbajtur në një nga pikat më të nxehta të agjendës globale, ku çështja kryesore mbetet Tajvani, vija e kuqe që mund të ndajë ose të bashkojë dy fuqi botërore si Kina dhe SHBA.

Më 14 Maj, presidenti kinez Xi Jinping organizoi në Pekin një banket mirëseardhjeje për presidentin amerikan Donald Trump/Foto nga Xinhua
Presidenti i Kinës, Xi Jinping e përshkroi situatën ndërkombëtare si një “transformim të paparë në një shekull”, duke theksuar se bota është në një fazë të paqëndrueshme dhe të trazuar. Në këtë kornizë, ai ngriti pyetjen themelore të epokës: nëse Kina dhe Shtetet e Bashkuara mund të shmangin “Kurthin e Tukididit” dhe të ndërtojnë një model të ri të marrëdhënieve mes fuqive të mëdha. Kjo pyetje nuk është thjesht retorike, por ajo përfaqëson thelbin e dilemës së rendit global bashkëkohor, ku një fuqi në ngritje dhe një fuqi dominuese përballen me sfidën e bashkëjetesës pa konflikt.
Në këtë samit, të dy palët ranë dakord për nevojën e një “marrëdhënieje konstruktive me stabilitet strategjik”, një formulim diplomatik që synon të balancojë konkurrencën me bashkëpunimin. Pra, në thelb, marrëdhënia mes dy vendeve është futur në një fazë ku as shkëputja totale dhe as bashkimi i plotë nuk janë të mundshme. Kjo e bën “stabilitetin strategjik” një koncept të ndërmjetëm, një lloj ekuilibri të përkohshëm që varet nga gatishmëria e të dy palëve për të kontrolluar tensionet dhe për të shmangur eskalimin.

Xi Jinping zhvillon një takim të ngushtë me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, më 15 maj./Foto nga Xinhua
Ekonomia: ndërvarësi dhe konkurrencë e kontrolluar
Dimensioni ekonomik mbetet shtylla më e dukshme dhe njëkohësisht më paradoksale e marrëdhënieve Kinë–SHBA. Nga njëra anë, të dy vendet janë konkurrentët kryesorë globalë; nga ana tjetër, ato janë të lidhura ngushtë përmes tregtisë, investimeve, teknologjisë dhe zinxhirëve globalë të furnizimit. Kjo ndërvarësi e thellë e bën çdo përpjekje për shkëputje të plotë jo vetëm të vështirë, por edhe të kushtueshme për të gjithë ekonominë globale.
Gjatë bisedimeve në Pekin, Xi Jinping theksoi qartë se “luftërat tregtare nuk kanë fitues”. Kjo deklaratë pasqyron një realitet ekonomik ku tarifat, sanksionet dhe kufizimet teknologjike kanë krijuar kosto të larta jo vetëm për Kinën dhe SHBA-në, por edhe për tregjet globale. Fragmentimi i zinxhirëve të furnizimit, rritja e inflacionit dhe pasiguria në tregjet energjetike janë pasoja direkte të këtij rivaliteti ekonomik të zgjatur.
As kësaj here, nuk bëhet fjalë për një normalizim të plotë të marrëdhënieve ekonomike, por për një menaxhim pragmatik të tensioneve ekzistuese. Megjithatë, pala amerikane ka kuptuar se shkëputja totale ekonomike nuk është një opsion realist në një ekonomi globale të ndërlidhur.

Mëngjesin e 14 majit, Presidenti Xi Jinping zhvilloi bisedime në Pallatin e Madh të Popullit në Pekin me Presidentin e SHBA-së Donald Trump/Foto nga Xinhua
Për Shtetet e Bashkuara, Kina mbetet një treg i madh dhe një pjesë kyçe e zinxhirëve globalë të prodhimit. Për Kinën, SHBA mbetet një burim i rëndësishëm teknologjie, kapitali dhe tregu.
Madje Presidenti kinez Xi Jinping deklaroi se dera e Kinës “do të hapet edhe më shumë ndaj botës së jashtme”, duke shtuar se kompanitë amerikane “do të gëzojnë perspektiva edhe më të ndritura në Kinë”.
Edhe qëndrimi i Presidentit Trump gjatë takimit, i cili theksoi respektin për Kinën dhe rëndësinë e bashkëpunimit ekonomik, tregon një qasje më pragmatike ndaj rivalitetit. Përfshirja e përfaqësuesve të biznesit amerikan në delegacion sinjalizon qartë se, pavarësisht tensioneve politike, komuniteti ekonomik amerikan vazhdon ta shohë Kinën si një partner të rëndësishëm.
Në këtë kuptim, ekonomia nuk është vetëm një fushë konkurrimi, por edhe një hapësirë e rëndësishme bashkëpunimi mes dy fuqive. Ajo shërben njëkohësisht si urë komunikimi dhe si bazë për menaxhimin e interesave të ndërsjella. Pikërisht ky ndërveprim e bën dimensionin ekonomik një nga shtyllat kryesore të stabilitetit strategjik mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Tajvani: nyja strategjike dhe vijë e kuqe e sistemit ndërkombëtar
Nëse ekonomia përfaqëson fushën e ndërvarësisë pragmatike, çështja e Tajvanit përfaqëson dimensionin më të rrezikshëm dhe më të pakompromis të marrëdhënieve Kinë–SHBA. Për Pekinin, Tajvani nuk është thjesht një çështje territoriale, por një element thelbësor i sovranitetit dhe i projektit të “ringjalljes kombëtare”. Për Uashingtonin, ndërkohë, Tajvani është një komponent kyç i arkitekturës së sigurisë në Indo-Paqësor dhe një test i balancës së fuqisë në rajon.
Gjatë takimit, Xi Jinping e theksoi qartë se çështja e Tajvanit është “më e rëndësishmja” në marrëdhëniet Kinë–SHBA. Ai paralajmëroi se mënyra se si trajtohet kjo çështje përcakton nëse marrëdhëniet do të mbeten të qëndrueshme apo do të rrëshqasin drejt përplasjes. Deklarata e tij se “pavarësia e Tajvanit dhe paqja në Ngushticën e Tajvanit janë të papajtueshme si zjarri dhe uji” e vendos këtë çështje në kategorinë e vijave të kuqe strategjike të Pekinit.
Por ky qëndrim është i kahershëm dhe reflekton një konsensus të brendshëm politik në Kinë, ku Tajvani shihet si pjesë e pandashme e territorit kombëtar. Në këtë kuadër, çdo lëvizje drejt pavarësisë së ishullit perceptohet si kërcënim direkt ndaj integritetit shtetëror. Pikërisht për këtë arsye, Tajvani mbetet pika më e ndjeshme e gjithë marrëdhënies dypalëshe.
Nga ana tjetër, politika amerikane ndaj Tajvanit karakterizohet nga një ambiguitet strategjik: mbështetje e fortë politike dhe ushtarake, por pa një angazhim të qartë për ndërhyrje direkte në rast konflikti. Kjo paqartësi strategjike e rrit rrezikun e keqllogaritjeve në një situatë krize.

Xi Jinping zhvillon një takim të ngushtë me Presidentin e SHBA-së Donald Trump, më 15 maj./Foto nga Xinhua
Në këtë kontekst, Tajvani nuk është vetëm një çështje rajonale, por një potencial katalizator për një konflikt më të gjerë midis dy superfuqive. Prandaj, çdo diskutim mbi stabilitetin strategjik Kinë–SHBA kalon domosdoshmërisht përmes këtij dosjeje.
Stabilitet i brishtë në një botë të paqëndrueshme
Tashmë është e qartë se rendi ndërkombëtar po hyn në një fazë tranzicioni, ku Kina po konsolidohet si një nga shtyllat kryesore të rikonfigurimit të ekuilibrave globalë. Roli i saj nuk kufizohet më në reagim ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, por shtrihet në aftësinë për të ndikuar në mënyrë aktive arkitekturën e sistemit.
Përmes zgjerimit të pranisë ekonomike, iniciativave në infrastrukturën globale dhe avancimit teknologjik, Pekini është bërë pjesë e qendrës së gravitetit të konkurrencës globale. Kjo ka prodhuar një rend më të fragmentuar, ku fuqia shpërndahet mes disa poleve dhe ndërvarësia mbetet një tipar strukturor i sistemit.
Në këtë sfond po konsolidohet një konfigurim de facto bipolar mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Ndryshe nga rivalitetet e Luftës së Ftohtë, ky model nuk mbështetet në ndarje ideologjike të qarta, por në një ndërvarësi të thellë ekonomike dhe teknologjike që njëkohësisht kufizon dhe stabilizon konkurrencën.
Kjo ndërvarësi nuk e eliminon rivalitetin, por e bën atë të menaxhueshëm, duke hapur një hapësirë të kufizuar për stabilitet.
Në këtë kontekst, samiti në Pekin mes Xi Jinping dhe Donald Trump sinjalizon një interes të ndërsjellë për stabilizimin e marrëdhënies dhe shmangien e përshkallëzimit të tensioneve. Mesazhet për hapje ekonomike dhe për “stabilitet strategjik” pasqyrojnë një gatishmëri për të ruajtur kanalet e komunikimit, pavarësisht konkurrencës në rritje.
Ndaj, ky samit mund të lexohet si një “modus vivendi” mes dy fuqive, një formë e domosdoshme bashkëjetese në një botë në ndryshim, ku stabiliteti nuk buron vetem nga pajtimi, por nga aftësia për të menaxhuar papajtueshmërinë./CGTN



