Ekspertja e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe kryeredaktorja e revistës gjeopolitike “Argumentum.al”, Marjana Doda, deklaron se rendi ndërkombëtar po kalon një transformim të thellë, ku bota po largohet gradualisht nga dominimi i vetëm i Shteteve të Bashkuara drejt një sistemi multipolar me disa qendra fuqie globale.
E ftuar në emisionin “Ditari i Fundjavës” në A2 CNN, Doda u shpreh se pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, SHBA-ja u shfaq si fuqia dominuese në aspektin ushtarak, ekonomik dhe politik, duke krijuar një rend unipolar që zgjati për dekada.
Sipas saj, situata globale ka ndryshuar ndjeshëm me ngritjen e Kinës si superfuqi ekonomike, teknologjike dhe ushtarake, çka ka sjellë një rivalitet të ri strategjik mes Uashingtonit dhe Pekinit.
“Megjithatë, realiteti i sotëm ndërkombëtar është shumë më kompleks sesa bipolariteti klasik i periudhës së Luftës së Ftohtë”, theksoi Doda.
Ajo nënvizoi se krahas SHBA-së dhe Kinës, edhe aktorë të tjerë si Bashkimi Evropian, India dhe Rusia po rrisin ndikimin e tyre në arenën ndërkombëtare dhe synojnë të kenë një rol më të madh në arkitekturën e re botërore.
Sipas ekspertes së marrëdhënieve ndërkombëtare, këto zhvillime tregojnë se bota po lëviz drejt një rendi multipolar, ku do të ekzistojnë disa qendra ndikimi ekonomik, politik dhe ushtarak.
Marjana Doda theksoi se pyetja kryesore sot nuk është më nëse po ndryshon rendi botëror, pasi ky ndryshim tashmë ka ndodhur, por kush do të vendosë rregullat e rendit të ri ndërkombëtar në vitet që vijnë.



