Tre punonjëse të Postës Shqiptare në Durrës janë ndaluar nga autoritetet pas dyshimeve për shkelje detyre dhe abuzim me fondet monetare të institucionit.
Mësohet se është ndaluar drejtoresha e filialit të Postës së Durrësit, Elisabeta Mataj, së bashku me shefen e financës, Valbona Hoti, dhe arkëtaren Paola Dana.
Veprimet procedurale janë ndërmarrë nga prokurori Gazmend Frëngu, në bashkëpunim me strukturat e Policisë së Shtetit, pas kallëzimit të bërë nga Posta Shqiptare për parregullsi në administrimin e fondeve.
Sipas të dhënave paraprake, gjatë një kontrolli të zhvilluar në ambientet e Postës së Durrësit është konstatuar një mungesë financiare që kap vlerën e rreth 3 milionë eurove. Pas zbulimit të parregullsive, drejtuesja e filialit është shkarkuar nga detyra, ndërsa përgjegjësja e sektorit të financës ka dhënë dorëheqjen.
Në një njoftim zyrtar, Posta Shqiptare bëri të ditur se nga verifikimet e kryera janë evidentuar shkelje në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave.
Institucioni deklaroi se, pas konstatimit të problematikave, janë marrë masa të menjëhershme ndaj personave përgjegjës dhe çështja është referuar pranë Prokurorisë për hetim të mëtejshëm.
Elisabeta Mataj ishte emëruar në drejtimin e filialit të Postës së Durrësit në tetor të vitit të kaluar, duke zëvendësuar Etleva Budinin, e cila u zgjodh deputete e Partisë Socialiste. Hetimet pritet të zbardhin përgjegjësitë konkrete dhe mënyrën se si janë krijuar mungesat financiare.



