Në një deklaratë të gjatë për mediat, Berisha ngriti dyshime mbi dokumentacionin e pronësisë dhe legalizimit të truallit ku është ndërtuar banesa, duke pretenduar se ekzistojnë mospërputhje të forta mes deklarimeve publike dhe dokumenteve zyrtare.
Sipas Berishës, dokumentet e siguruara prej tij tregojnë se trualli ku ndodhet vila rezultonte ende tokë bujqësore në vitin 2004, ndërkohë që sipas deklarimeve të bëra gjatë procesit të vetingut, banesa ishte ndërtuar dhe banuar që në vitin 2000.
Kryedemokrati u ndal fillimisht tek pretendimet e mëparshme për pasuritë e Dumanit, duke deklaruar se ai kishte përfituar apartamente dhe zyra me çmime shumë më të ulëta se vlera reale e tregut nga biznesmeni Andon Pango, të cilin Berisha e cilësoi si të dënuar për mashtrim.
Më pas, ai kaloi tek ajo që e quajti “denoncimi i ri” për vilën ku, sipas tij, banon Dumani. Berisha deklaroi se gjatë intervistave dhe procesit të vetingut është pretenduar se Dumani jetonte me qira në atë banesë dhe se vila ishte ndërtuar pothuajse e gjitha përpara martesës së tij me bashkëshorten aktuale.
Sipas Berishës, kjo është bërë për të shmangur çdo dyshim se ndërtimi i vilës mund të ishte financuar nga vetë Dumani.
Ai iu referua edhe një deklarate noteriale të vitit 2019, të paraqitur nga prindërit e bashkëshortes së Dumanit gjatë procesit të vetingut. Në deklaratë, sipas Berishës, thuhet se financimi për ndërtimin e vilës ishte siguruar nga një misionar i huaj me emrin Graham Bell gjatë viteve 1999-2003, në shumën e rreth 45 mijë paundëve.
Berisha ironizoi këtë pretendim, ndërsa shtoi se në deklaratën noteriale thuhej gjithashtu se Dumani nuk kishte asnjë kontribut financiar në ndërtimin e banesës, pasi ishte martuar me vajzën e familjes në janar të vitit 2003, kohë kur, sipas dokumentit, kati i tretë i vilës po përfundonte dhe financimet ishin siguruar.
Gjatë deklaratës, një gazetar ndërhyri duke kujtuar pretendimin e bërë më herët nga Dumani se banesa kishte shërbyer edhe si kishë. Berisha reagoi ashpër ndaj këtij argumenti, duke e cilësuar atë si “supermashtrim”.
Sipas kreut të PD-së, kontradikta më e madhe qëndron tek fakti se dokumentet zyrtare të pronësisë tregojnë se në vitin 2004 trualli ku ndodhet vila rezultonte ende tokë arë dhe në pronësi të familjes Çullhaj.
Berisha përmendi një kontratë noteriale të datës 24 shtator 2004, sipas së cilës familja Çullhaj i shiste Jorgo Pangos një sipërfaqe prej 307 metrash katrorë tokë bujqësore. Ai shtoi se edhe një shkresë e firmosur nga ish-kreu i njësisë bashkiake numër 6, Irfan Dashi, vërtetonte se në atë periudhë prona rezultonte sipërfaqe e lirë dhe e paregjistruar si ndërtim.
Sipas Berishës, këto dokumente rrëzojnë pretendimin se vila kishte qenë e ndërtuar dhe funksionale që në vitin 2000.
Kreu i Partisë Demokratike deklaroi se personat që, sipas tij, kanë mashtruar gjatë procesit të vetingut nuk meritojnë të mbajnë funksione publike dhe shtoi se çështja duhet të hetohet.
Deri tani nuk ka pasur një reagim publik nga Altin Dumani lidhur me akuzat e reja të bëra nga Sali Berisha.




