back to top
21.5 C
Tirana
E hënë, 18 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetBerisha paralajmëron dosje të tjera/ "Kam materiale për prokurorë të SPAK"

Berisha paralajmëron dosje të tjera/ “Kam materiale për prokurorë të SPAK”

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se prej muajsh disponon dokumente që, sipas tij, implikojnë ish-kreun e SPAK-ut, Altin Dumani, por tha se ka ndjekur një rend publikimi për dosjet që ka denoncuar publikisht.

Gjatë bashkëbisedimit me gazetarët, Berisha u pyet nga gazetarja Anila Hoxha se prej sa kohësh i kishte në dispozicion dokumentet dhe përse nuk i kishte dorëzuar menjëherë në SPAK.

Në përgjigjen e tij, Berisha tha se dokumentet i posedon prej disa muajsh, por se fillimisht kishte zgjedhur të “ezaurojë”, sipas tij, dosjen që lidhej me gjyqtaren Irena Gjoka dhe më pas të kalonte tek ajo që ai e quajti “dosja Dumani”.

Sipas kreut të PD-së, ai kishte paralajmëruar më herët publikisht se do t’i rikthehej kësaj çështjeje dhe pretendoi se dokumentet që disponon faktojnë pamundësinë që një funksionar shtetëror të zotërojë disa prona vetëm me të ardhurat nga paga.

Berisha deklaroi se tashmë, sipas tij, “faktohen të gjitha”, ndërsa vijoi akuzat ndaj drejtuesve të drejtësisë.

I pyetur nga gazetari Armand Bajrami nëse disponon dosje edhe për prokurorë të tjerë të SPAK-ut, Berisha u shpreh se çdo dokument që i mbërrin do ta bëjë publik dhe se nuk mban asgjë të fshehtë.

Ai tha se e konsideron detyrë të çdo politikani dhe deputeti të publikojë dokumente që, sipas tij, provojnë shkelje të ligjit, korrupsion apo pastrim parash.

Në këtë kontekst, Berisha kujtoi edhe publikimin që kishte bërë më herët ndaj bashkëshortes së kryeministrit, Linda Rama, duke deklaruar se dokumentet i kishte bërë publike nga dritarja e banesës së tij në kohën kur ndodhej në arrest shtëpie.

Ai përmendi edhe emrin e Geron Meçes, duke pretenduar se kishte publikuar dokumente që lidhnin atë me Linda Ramën.

Gjatë deklaratës, Berisha kërkoi sërish dorëheqjen e menjëhershme të Altin Dumani dhe tha se ai duhet të përballet me prokurorinë.

Kreu i demokratëve ngriti gjithashtu pretendime për mënyrën sesi hetohen prokurorët e SPAK-ut, duke deklaruar se ligji parashikon që hetimet ndaj tyre të kryhen nga Prokuroria e Tiranës dhe jo nga vetë SPAK-u.

Sipas Berishës, struktura aktuale ka marrë “hetimin në duart e veta”, duke shtuar se SPAK-u nuk mund të hetojë vetveten. Ai propozoi që të ekzistojë një njësi e posaçme pranë Prokurorit të Përgjithshëm për hetimin e prokurorëve të SPAK-ut.

Më tej, Berisha hodhi akuza edhe për çështjen e njohur si “Toyota Yaris”, duke pretenduar se aty përfshihen disa prokurorë dhe se Dumani ka mbajtur nën ndikim figura të tjera të drejtësisë.

Gazetarja Anila Hoxha e pyeti më tej nëse mbajtja e dokumenteve për një kohë të gjatë nuk e vendos atë në kushtet e moskallëzimit të krimit.

Berisha u përgjigj se ai kishte paralajmëruar publikisht për ekzistencën e dosjeve dhe se dokumentet do të dorëzohen në organet e drejtësisë.

Ai tha se çështja e gjyqtares Irena Gjoka kishte kaluar më herët në proces hetimi, duke akuzuar sërish Dumanin se, sipas tij, kishte favorizuar atë dosje.

Në fund të deklaratës, kreu i PD-së tha se nuk mban asnjë dokument për vete dhe falënderoi qytetarët që, sipas tij, i dërgojnë informacione dhe materiale për çështje që ai i konsideron denoncime publike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat