back to top
23.5 C
Tirana
E mërkurë, 20 Maj, 2026
spot_img
KreuAktualitetZërat për largimin e ambasadorit në Shkup/ MPJ: Vendimet merren mbi baza...

Zërat për largimin e ambasadorit në Shkup/ MPJ: Vendimet merren mbi baza institucionale

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas raportimeve dhe komenteve mediatike lidhur me lëvizjet diplomatike në Shërbimin e Jashtëm, veçanërisht për zërat mbi largimin e mundshëm të Denion Meidanit nga posti i ambasadorit të Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut.

Përmes një deklarate zyrtare, zëdhënësi i ministrisë thekson se çdo vendimmarrje për emërimet apo lëvizjet diplomatike realizohet në përputhje me legjislacionin në fuqi, kuadrin rregullator të Shërbimit të Jashtëm dhe praktikat diplomatike të konsoliduara.

Sipas reagimit, proceset e tilla mbështeten në analiza profesionale dhe institucionale, me qëllim përdorimin sa më efikas të burimeve njerëzore dhe në funksion të prioriteteve të politikës së jashtme të Shqipërisë.

Deklarata vjen pas raportimeve të publikuara një ditë më parë, ku pretendohej se lëvizja e mundshme e Meidanit lidhej me pakënaqësi të shprehura nga faktorë politikë në Maqedoninë e Veriut, përfshirë koalicionin shqiptar VLEN dhe VMRO-DPMNE.

Sipas këtyre raportimeve, kundërshtimet kishin të bënin me qëndrimet publike të ambasadorit shqiptar në debatet politike që lidhen me të drejtat e shqiptarëve në vend, veçanërisht për çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe.

Në deklaratën e saj, Ministria e Jashtme i cilëson të pabazuara interpretimet dhe hamendësimet e publikuara në media, duke theksuar se ato “nuk pasqyrojnë realitetin, aq më pak procesin institucional që ndiqet në raste të tilla”.

“Hamendësimet apo interpretimet e paraqitura si fakte janë tërësisht të pabazuara dhe nuk meritojnë vëmendje të mëtejshme”, thuhet ndër të tjera në reagimin zyrtar të ministrisë.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat