Gjykata Kushtetuese shqyrtoi këtë të mërkurë kërkesën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kundërshton masën e sigurisë “arrest në burg” të vendosur ndaj tij nga GJKKO në shkurt të vitit 2025.
Seanca nisi në orën 10:00 dhe u zhvillua me dyer të mbyllura, vetëm mbi bazë dokumentesh dhe pa praninë e palëve. Pas afro dy orësh shqyrtim, mbledhja përfundoi pa një vendimmarrje finale, ndërsa mësohet se Gjykata Kushtetuese pritet të shprehet në ditët në vijim.
Në dosjen e paraqitur para Kushtetueses, Veliaj argumenton se masa e sigurisë i ka cenuar lirinë individuale dhe, për shkak të funksionit të tij si kryebashkiak i zgjedhur, ky cenim është sipas tij i dyfishtë, pasi e pengon të ushtrojë detyrën.
Ai pretendon se masa e “arrestit në burg” është joproporcionale dhe se gjykatat nuk kanë analizuar siç duhet kriteret për vendosjen e saj. Sipas ankimit të depozituar, Kodi i Procedurës Penale parashikon që pas kalimit të një periudhe kohore, personat nën hetim duhet të gjykohen në liri kundrejt një garancie pasurore.
Masa ndaj Veliajt ishte konfirmuar më herët edhe nga Apeli i GJKKO-së, si dhe nga Gjykata e Lartë. Tashmë pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për vlefshmërinë e saj.



