Kryetari i bashkisë së qytetit Galați, Ionuț Pucheanu, mbërriti në vendngjarje menjëherë pasi një dron goditi një pallat në lagjen Mazepa, duke inspektuar personalisht dëmet së bashku me ekspertët.
Sipas autoriteteve lokale, nga incidenti mbetën të plagosur dy persona, të cilët u transportuan në spital për mbikëqyrje mjekësore, ndërsa dëmet materiale u konsideruan të kufizuara.
“Isha në vendngjarje. Është një dron, ngarkesa e të cilit nuk e kuptoj sa e madhe apo e vogël ka qenë. Në këtë rast, dëmet nuk janë aq të mëdha; kemi vetëm dy persona të prekur, jo shumë rëndë”, deklaroi Pucheanu.
Ai shtoi se fillimisht ishte kërkuar strehim i përkohshëm për të dëmtuarit, por më pas u vendos që ata të qëndronin në spital për kontrolle dhe mbikëqyrje të mëtejshme.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje shqetësimet mbi aftësitë mbrojtëse të Rumanisë ndaj incidenteve me dronë, veçanërisht në zonat pranë kufirit.
Pas incidentit, kryebashkiaku u bëri thirrje qytetarëve të mos neglizhojnë mesazhet e emergjencës RO-Alert, pasi sipas tij shumë banorë kanë filluar t’i injorojnë për shkak të frekuencës së lartë të njoftimeve.
“Në orën 02:00 të natës, qytetarët që ishin evakuuar mbaheshin larg zonës. Ishte e vështirë të komunikoje me ta”, tha ai, duke paralajmëruar se alarmet duhet të merren seriozisht.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar origjinën e dronit dhe rrethanat e plota të incidentit.



