Administrata Tatimore ka ndërmarrë masa shtrënguese ndaj një subjekti në Tiranë me detyrime tatimore të papaguara në vlerën e 6.4 milionë eurove, duke sekuestruar tetë automjete luksoze, mes tyre marka të njohura si McLaren, Mercedes-Benz dhe BMW.
Sipas njoftimit zyrtar, strukturat e specializuara të Tatimeve kanë kaluar nga bllokimi i llogarive bankare në sekuestrimin e aseteve të subjektit debitor, si pjesë e procedurave për mbledhjen e detyrimeve të papaguara.
Gjatë verifikimeve në terren, inspektorët tatimorë kanë ushtruar kontrolle në adresat e deklaruara nga subjekti, por nuk kanë arritur të identifikojnë të gjitha automjetet e listuara për sekuestrim.
Sipas Administratës Tatimore, subjekti nuk ka bashkëpunuar për ekzekutimin e plotë të urdhrit, duke mos paraqitur automjetet dhe duke mos ofruar informacion mbi vendndodhjen e tyre.
Tatimet theksojnë se mosdhënia e informacionit dhe fshehja e aseteve konsiderohen pengim i ekzekutimit të detyrimeve tatimore dhe fshehje e të dhënave, ndaj çështja i është referuar Drejtorisë së Hetimit Tatimor për ndjekje të mëtejshme administrative dhe penale.
Administrata Tatimore paralajmëron se masat shtrënguese do të vijojnë për të gjithë tatimpaguesit që nuk respektojnë detyrimet ligjore, përfshirë subjektet e referuara në organet e drejtësisë dhe ata që krijojnë detyrime të reja pas 31 dhjetorit 2024, të cilat nuk përfitojnë nga dispozitat për fshirjen apo shuarjen e detyrimeve tatimore.
“Administrata Tatimore do të vijojë pa kompromis zbatimin e masave shtrënguese ndaj çdo subjekti që shmang përmbushjen e detyrimeve tatimore”, thuhet në reagimin zyrtar.



