back to top
26.5 C
Tirana
E shtunë, 30 Maj, 2026
spot_img
KreuDrejtësiaPse dosja e Ervis Martinajt nuk do të shqyrtohet nga GJKKO?

Pse dosja e Ervis Martinajt nuk do të shqyrtohet nga GJKKO?

Gjykata e Lartë ka zgjidhur mosmarrëveshjen e kompetencës mes Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) dhe Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë lidhur me një procedim penal ku i pandehur është Ervis Martinaj.

Me vendimin e marrë më 10 mars 2026, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi që kompetente për shqyrtimin e dosjes nr. 417 të vitit 2022 është Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke përjashtuar kështu kompetencën e GJKKO-së.

Sipas raportimit të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, procedimi penal lidhet me kontrollin e ushtruar nga policia në maj të vitit 2022 në hotelin “Zeus Garden”, ku dyshohej se qëndronte Ervis Martinaj. Gjatë kontrollit, autoritetet sekuestruan një armë zjarri tip pistoletë, municione, jelekë me mbishkrimin “Policia”, portofolë me stemë policie, maska, doreza antiplumb dhe pranga.

Në përfundim të hetimeve, Martinaj është marrë i pandehur për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, si edhe për “Mbajtjen pa të drejtë të uniformës”. Ndërsa Armand Merlika, Ergys Merlika dhe Dea Pistolja akuzohen për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”.

Një nga provat kryesore të administruara në dosje është ekspertiza biologjike e ADN-së, sipas së cilës materiali gjenetik i gjetur në disa prej sendeve të sekuestruara në ambientet e hotelit rezulton i përputhshëm me profilin gjenetik të Ervis Martinajt, i cili vijon të jetë i zhdukur pa gjurmë që prej gushtit 2022.

Prokuroria dhe Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë kishin argumentuar se procedimi lidhej me një hetim tjetër të SPAK-ut ndaj Martinajt për vepra të dyshuara në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ndaj çështja duhej të kalonte për shqyrtim në GJKKO.

Megjithatë, Gjykata e Posaçme kundërshtoi këtë interpretim, duke argumentuar se në këtë procedim nuk ekziston asnjë akuzë formale për grup të strukturuar kriminal dhe se gjyqtari i seancës paraprake nuk mund të shtojë akuza të reja pa një vendimmarrje të prokurorisë.

Në arsyetimin e saj, Gjykata e Lartë thekson se vetëm prokurori ka kompetencën për të ndryshuar ose shtuar akuza gjatë fazës së seancës paraprake. Për sa kohë që prokuroria nuk ka ngritur akuza që lidhen me grupin e strukturuar kriminal, çështja duhet të shqyrtohet mbi bazën e akuzave ekzistuese.

Për rrjedhojë, Gjykata e Lartë vendosi që procedimi penal të vijojë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Vendimi nuk lidhet me themelin e çështjes dhe nuk përcakton fajësinë apo pafajësinë e të pandehurve, por vetëm institucionin gjyqësor kompetent për shqyrtimin e dosjes.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat