Mjeku dhe eksperti i shëndetit, Erion Dasho, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me deklaratat e zëvendësministres së Shëndetësisë, Eugena Tomini, mbi protokollin e hormoneve, dokument për të cilin ai thekson se ajo është një nga firmëtaret.
Reagimi i Dashos vjen pasi Ministria e Shëndetësisë publikoi një video-sqarim të Tominit mbi protokollin, ndërsa mjeku pretendon se në deklaratat e saj ka pasaktësi dhe kundërthënie me dokumentin zyrtar.
“Në 1 minutë e 19 sekonda video janë të paktën dy mashtrime lehtësisht të verifikueshme. Ndërkohë, nëse është deklaruar se trajtimi nuk rekomandohet që në fëmijëri, atëherë kemi të bëjmë edhe me një mashtrim të tretë”, shkruan Dasho.
Sipas tij, pas shqyrtimit të dokumentit, evidentohen tre çështje kryesore që, sipas interpretimit të tij, bien ndesh me deklaratat publike të bëra nga zv.ministrja.
Pika e parë lidhet me rimbursimin e trajtimit. Dasho argumenton se ndonëse Tomini deklaron se udhëzuesi nuk përcakton skema rimbursimi, vetë vendimi ngarkon Drejtorinë e Përgjithshme të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor me zbatimin e tij.
Sipas mjekut, pika e dytë ka të bëjë me grupin hartues të protokollit. Ai pretendon se, ndryshe nga deklarimet për një grup multidisiplinor, dokumenti rezulton të jetë hartuar nga dy persona, të dy mjekë endokrinologë.
Çështja e tretë, që sipas Dashos ka shkaktuar më shumë debat publik, lidhet me përfshirjen e fëmijëve në protokoll. Ai pretendon se dokumenti përmban referenca për efektet e terapisë tek fëmijët, çka sipas tij nënkupton mundësinë e aplikimit të saj edhe në këto grupmosha.
“Kjo mënyrë të shprehuri është kambanë alarmi, pasi praktikisht i vendos mjekët nën presion për të nisur sa më parë trajtimin”, shprehet ai.
Në reagimin e tij, Dasho kritikon gjithashtu mënyrën e hartimit dhe miratimit të dokumentit, duke pretenduar se ai është përgatitur me nxitim, me formulime të paqarta dhe pa një proces të gjerë konsultimi profesional.
Deri tani, Ministria e Shëndetësisë nuk ka reaguar publikisht ndaj pretendimeve të ngritura nga mjeku Erion Dasho, ndërsa debati mbi protokollin vijon të ngjallë diskutime në opinionin publik dhe në komunitetin mjekësor.



