KreuAktualitet“Nuk sheh syri, sheh mendja”/ Rama reagon pas nisjes së protestës

“Nuk sheh syri, sheh mendja”/ Rama reagon pas nisjes së protestës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sërish lidhur me debatet dhe protestat që po zhvillohen për projektin turistik në zonën e Zvërnecit, duke publikuar në rrjetet sociale dy projekte të realizuara nga investitorët që pritet të përfshihen në zhvillimin e projektit në Shqipëri.

Në mesazhin e tij, Rama i cilësoi investitorët si sipërmarrës me reputacion ndërkombëtar dhe mbrojti legjitimitetin e transaksionit për blerjen e tokës në Zvërnec.

“Dy projekte të realizuara tanimë nga fiks bashkëinvestitorët e projektit që ka tronditur armiq të Shqipërisë Europiane, konkurentë të Shqipërisë Turistike, shqiptarë të verbër që po përdoren si vegla qorre kundër Shqipërisë”, shkroi kryeministri.

Rama u ndal edhe te kundërshtimet ndaj projektit, duke pretenduar se një pjesë e qytetarëve janë ndikuar nga dezinformimi dhe ajo që ai e quajti “luftë hibride” në rrjetet sociale.

Sipas tij, edhe qytetarë të ndershëm dhe të ndjeshëm ndaj çështjeve mjedisore janë manipuluar nga fushata që, sipas kreut të qeverisë, zhvillohet nga kundërshtarë të interesave të Shqipërisë.

Kryeministri theksoi se investitorët që kanë blerë truallin privat në Zvërnec janë “dy vëllezër të famshëm nga Katari”, të cilët, sipas tij, e kanë kryer pagesën përmes transaksioneve bankare të certifikuara nga institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare.

Ai shtoi se investitorët janë gjithashtu bashkëpronarë të grupit ndërkombëtar Power Holding, të cilin e cilësoi si një prej kompanive të rëndësishme në Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

“Kështu, siç e tregojnë këta dy ishuj në foto, e kuptojnë zhvillimin në harmoni me natyrën ata që sot janë blerësit legjitimë të truallit privat në Zvërnec”, shkroi Rama.

Në reagimin e tij, kryeministri ftoi qytetarët të njihen me aktivitetin e kompanisë dhe projektet e saj, duke argumentuar se investimi do të sjellë zhvillim dhe jo dëmtim të zonës.

Në fund të mesazhit, Rama bëri edhe një krahasim me debatet që, sipas tij, kanë shoqëruar më herët ndërtimin e stadiumit kombëtar në Tiranë, duke thënë se kundërshtarët e projektit do të duhet të presin rezultatet përpara se të gjykojnë ndikimin e tij.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat