KreuDrejtësiaSkënder Hita pezullon kryekomisarin dhe nënkomisarët e Shkodrës

Skënder Hita pezullon kryekomisarin dhe nënkomisarët e Shkodrës

Një plantacion me mijëra bimë narkotike është zbuluar në fshatin Reç i Ri të Velipojës, duke sjellë masa të menjëhershme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ndaj drejtuesve lokalë të policisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor dhe pezullimin nga detyra të tre efektivëve të policisë, pas konstatimit të një sipërfaqeje të mbjellë me bimë të dyshuara narkotike në territorin e Velipojës.

Sipas informacioneve zyrtare, zbulimi i parcelës erdhi pas një denoncimi të mbërritur në adresën elektronike të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë. Një qytetar kishte sinjalizuar kultivimin e mijëra bimëve narkotike në një zonë të hapur të fshatit Reç i Ri, territor i cili, sipas denoncimit, ishte lehtësisht i verifikueshëm.

Pas verifikimeve në terren, strukturat policore konstatuan të kultivuara 7,446 bimë të dyshuara narkotike të llojit cannabis sativa.

Menjëherë pas zbulimit të rastit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë urdhëroi pezullimin nga detyra të:

Kryekomisar Bekim Likës, shef i Komisariatit të Policisë Shkodër;

Nënkomisar Zef Markut, shef i Stacionit të Policisë Velipojë;

Inspektor Samet Kadrojit, ndihmës/specialist i Policimit në Zonë, përgjegjës për territorin ku u gjetën bimët narkotike.

Burime zyrtare bëjnë me dije se ndaj tyre ka nisur procedura e hetimit disiplinor për të verifikuar përgjegjësitë që lidhen me moskonstatimin dhe mosparandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike në zonën që mbulonin.

Ndërkohë, hetim disiplinor është urdhëruar edhe për dy punonjës të tjerë të policisë, pjesë e grupit të kontrollit të territorit, por pa vendosur ndaj tyre masën e pezullimit nga detyra.

Rasti ka rikthyer në vëmendje sfidën e kultivimit të bimëve narkotike në zonat rurale të vendit dhe përgjegjësinë e strukturave policore për monitorimin e territorit. Zbulimi i një sasie kaq të madhe bimësh kanabisi në një zonë të hapur ka ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e kontrolleve dhe mekanizmave të parandalimit në nivel lokal.

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se hetimet vijojnë si në aspektin disiplinor për punonjësit e policisë, ashtu edhe në drejtim të identifikimit dhe kapjes së personave përgjegjës për kultivimin e bimëve narkotike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat