KreuDrejtësiaGjykata e Lartë hap sërish dosjen e tenderit 2.8 miliardë lekë të...

Gjykata e Lartë hap sërish dosjen e tenderit 2.8 miliardë lekë të uniformave

Një nga çështjet më të bujshme të hetuara nga SPAK në fushën e prokurimeve publike është rikthyer sërish në vëmendje. Gjykata e Lartë ka vendosur të prishë vendimin e Gjykatës së Apelit të Posaçëm për dosjen e tenderit të uniformave të Policisë së Shtetit dhe të urdhërojë rigjykimin e saj nga një trupë tjetër gjykuese.

Vendimi prek ish-drejtoreshën e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, Edlira Naqellari, si dhe Flutura Çekrezin, Anisa Bogdanin, Ani Omurin, Aurora Mullën, Kleivis Hasanin, Kreshnik Bejkajn, Gëzim Mingajn, Fatmir Demnerin dhe Mariglen Buzalin, të cilët më herët ishin shpallur fajtorë për veprën penale të shkeljes së barazisë në tendera dhe ankande publike.

Dosja lidhet me procedurën e prokurimit për blerjen e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit, një tender me fond limit prej 2.8 miliardë lekësh, ose rreth 25 milionë euro. Hetimet nisën pas një kallëzimi të depozituar në vitin 2021 nga ish-deputetët e opozitës parlamentare, Halit Valteri dhe Myslim Murrizi.

Sipas akuzës së ngritur nga SPAK, zyrtarët e përfshirë në procedurë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me ish-drejtoreshën Naqellari, kishin shkelur rregullat e prokurimit publik, duke cenuar konkurrencën dhe barazinë në tender, me qëllim favorizimin e operatorit fitues. Sipas organit të akuzës, këto veprime kishin sjellë edhe pasoja ekonomike për interesat e shtetit.

Në fund të vitit 2021, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar shpalli fajtorë të pandehurit, duke i dënuar me nga një vit burg secilin. Për shkak të përfitimit nga gjykimi i shkurtuar, dënimet u reduktuan, ndërsa për disa prej tyre masa u konvertua në shërbim prove.

Më pas, edhe Gjykata e Apelit të Posaçëm la në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke konfirmuar fajësinë e të akuzuarve.

Megjithatë, me vendimin më të fundit, Gjykata e Lartë ka vlerësuar se çështja duhet të shqyrtohet sërish në Apel nga një tjetër trupë gjykuese, duke rrëzuar vendimin e mëparshëm të kësaj gjykate.

Edhe pse të gjithë të dënuarit kanë përfunduar ekzekutimin e dënimeve të dhëna ndaj tyre, çështja mbetet me pasoja juridike, pasi ata vijojnë të jenë subjekt i ndalimit për ushtrimin e funksioneve publike për një periudhë pesëvjeçare.

Vendimi i Gjykatës së Lartë pritet të hapë një kapitull të ri në këtë proces gjyqësor, ndërsa Apeli i Posaçëm do të duhet të rishqyrtojë nga e para pretendimet e palëve dhe provat e administruara në dosje.

Tenderi i uniformave të Policisë së Shtetit konsiderohet një nga procedurat më të debatuara të viteve të fundit, jo vetëm për vlerën e lartë financiare, por edhe për faktin se hetimi dhe ndjekja penale u zhvilluan nga SPAK si pjesë e luftës kundër korrupsionit në administratën publike.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat