KreuAktualitetSocialeRisi këtë sezon/ Turistët e huaj do të paguajnë për shërbimet shëndetësore

Risi këtë sezon/ Turistët e huaj do të paguajnë për shërbimet shëndetësore

Shërbimi shëndetësor për pushuesit vijon pa ndërprerje në 36 Qendrat Shëndetësore Verore në të gjithë vendin, ndërsa këtë sezon turistik është vendosur për herë të parë një kuadër i unifikuar tarifash për disa shërbime shëndetësore që u ofrohen vetëm turistëve të huaj, jo rezidentë në Shqipëri.

Gjatë një inspektimi në Qendrën Shëndetësore Verore në Tale të Lezhës, ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, sqaroi se kjo masë nuk prek qytetarët shqiptarë, të cilët do të vazhdojnë të marrin shërbim shëndetësor falas në sistemin publik.

Sipas ministres, të ardhurat e krijuara nga tarifat do të mbeten në dispozicion të vetë qendrave shëndetësore dhe do të përdoren për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, blerjen e pajisjeve dhe plotësimin e nevojave më të menjëhershme.

Që prej nisjes së sezonit turistik, më 1 qershor 2026, mbi 17 mijë pushues kanë marrë shërbim në Qendrat Shëndetësore Verore. Rreth 21% e tyre kanë qenë turistë të huaj, çka sipas Ministrisë së Shëndetësisë dëshmon rëndësinë në rritje të këtyre qendrave për garantimin e kujdesit shëndetësor në zonat turistike.

Ministria bën të ditur se monitorimi i përditshëm i qendrave vijon përmes Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, duke garantuar furnizimin me barna, pajisje mjekësore dhe funksionimin normal të shërbimit gjatë gjithë sezonit veror.

Një tjetër risi e këtij viti është pajisja e të 36 Qendrave Shëndetësore Verore me terminale pagesash elektronike (POS), duke u mundësuar turistëve të huaj të kryejnë pagesat në mënyrë të shpejtë, të sigurt dhe transparente. Sipas Ministrisë, kjo është pjesë e përpjekjeve për modernizimin e shërbimeve shëndetësore dhe rritjen e cilësisë së kujdesit për pushuesit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat