Komisioni Ad Hoc i ngritur pranë Kryeministrisë ka publikuar renditjen përfundimtare të kandidatëve për pozicionin e Kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), institucionit që shqyrton ankesat lidhur me tenderët publikë në Shqipëri.
Sipas listës zyrtare, në garën për postin e kryetarit, Ismail Shehu dhe Enea Hoti janë renditur të parët me nga 74 pikë secili. Pas tyre vijnë Ertil Sula me 57.3 pikë dhe Bledar Zeneli me 49 pikë.
Për pozicionet e anëtarëve të KPP-së, kandidati më i vlerësuar është Fiorent Zguro me 82 pikë, i ndjekur nga Ervin Simo me 73 pikë dhe Enkeleon Topulli me 71.6 pikë. Në listë përfshihen edhe juristë dhe ekonomistë të tjerë të vlerësuar nga Komisioni Ad Hoc.
Publikimi i renditjes ka nxitur diskutime mbi transparencën e procesit dhe mënyrën e funksionimit të sistemit të meritokracisë në përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të pavarura. Sipas procedurës ligjore, lista e kandidatëve i dërgohet fillimisht Këshillit të Ministrave dhe më pas Kuvendit, i cili vijon procedurën për emërimet.
Procesi pritet të vijojë me shqyrtimin e listës nga institucionet përgjegjëse, ndërsa mbetet për t’u parë nëse renditja sipas pikëve do të reflektohet edhe në emërimet përfundimtare.




