Është mbyllur faza e parë e nismës “Paqja Fiskale”, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë të ditur se procesi i aplikimeve përfundoi me 62 kërkesa të regjistruara dhe 19 marrëveshje të konkluduara.
Sipas Tatimeve, gjatë kësaj periudhe nuk është evidentuar asnjë rast i pastrimit të parave nga subjektet që kanë aplikuar për përfshirje në këtë skemë.
“Paqja Fiskale” synon formalizimin vullnetar të bizneseve, duke u ofruar subjekteve mundësinë për të rregulluar marrëdhëniet e tyre me administratën tatimore përmes një regjimi të posaçëm.
Në kuadër të kësaj nisme, bizneset përfitojnë lehtësi, përfshirë shmangien e kontrolleve tatimore në terren dhe aplikimin e një norme tatimore stimuluese prej 5%.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njoftoi se mundësia për aplikim do të rihapet në dy periudha të tjera: nga 1 deri më 15 prill 2027 dhe nga 1 deri më 15 prill 2028.
Sipas DPT-së, qëllimi i nismës është rritja e formalizimit në ekonomi, krijimi i një tregu më transparent dhe konkurrues, si dhe përafrimi me standardet e Bashkimit Europian.
Administrata tatimore u ka bërë thirrje subjekteve të interesuara që të shfrytëzojnë këtë mundësi për të rregulluar situatën fiskale dhe për të kontribuar në një klimë më të drejtë biznesi.



