Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, ka reaguar publikisht ndaj pretendimeve të bëra në media se ai ka qenë një nga dy zyrtarët shqiptarë që kanë marrë pjesë në një takim me trafikantë në Aruba.
Përmes një deklarate publike, Gjiknuri i mohoi kategorikisht këto akuza, duke theksuar se nuk ka qenë asnjëherë në Aruba dhe se nuk ka pasur asnjë kontakt me personat për të cilët janë bërë aludime.
“Në respekt ndaj opinionit publik, deklaroj me përgjegjësi të plotë se nuk kam qenë asnjëherë në Aruba, nuk kam takuar asnjëherë e askund dhe nuk kam pasur asnjë lidhje me personat për të cilët aludon ky shpifës”, shprehet Gjiknuri.
Ai i është referuar drejtpërdrejt avokatit Arben Llangozi, i cili përmendi emrin e tij në deklaratat publike, duke e cilësuar atë një “shpifës ordiner” dhe duke e sfiduar të publikojë prova që mbështesin pretendimet.
“E sfidoj publikisht Arben Llangozin të publikojë provat që mbështesin pretendimet e tij. Në të kundërt, ai duhet të tërhiqet publikisht nga këto deklarata dhe të dorëzojë licencën e avokatit”, deklaron deputeti socialist.
Gjiknuri bëri të ditur se ka autorizuar avokatin e tij të përgatisë dokumentacionin për ngritjen e një padie për shpifje ndaj Llangozit.
Në reagimin e tij, ai thekson se gjatë viteve në funksione publike ka qenë objekt i verifikimeve nga organet e drejtësisë dhe se, sipas tij, të gjitha kanë konfirmuar pastërtinë e figurës së tij.
Deputeti i PS-së zbulon gjithashtu se ka pasur edhe procese të mëparshme gjyqësore me Arben Llangozin, duke pretenduar se ky i fundit ka tërhequr rekursin dhe ka pranuar një dënim për shpifje.
“Gjatë gjithë karrierës sime kam refuzuar kategorikisht t’u nënshtrohem gjobëvënësve publikë që paguhen për të shpifur. Nuk do të lejoj që emri im të përdoret për akuza pa asnjë provë”, përfundon reagimi i Gjiknurit.
Deklarata e tij vjen pas akuzave të bëra publikisht nga avokati Arben Llangozi, i cili e përmendi Gjiknurin si një nga zyrtarët e përfshirë në një takim të pretenduar në Aruba, pretendime që deputeti socialist i mohon në mënyrë kategorike.



