Shteti shqiptar pritet të ketë për herë të parë një kuadër të plotë ligjor për administrimin e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, përfshirë edhe kriptovalutat. Një projektligj i ri me 11 nene synon të ndryshojë procedurat e menaxhimit dhe shitjes së këtyre aseteve, duke zgjeruar kompetencat e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK) dhe duke shkurtuar afatet procedurale.
Nisma vjen në një moment kur institucionet e drejtësisë janë përballur me vështirësi konkrete në administrimin e pasurive të sekuestruara, veçanërisht atyre dixhitale.
Milionat në kripto që SPAK nuk kishte ku t’i administronte
Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka sekuestruar gjatë viteve të fundit asete me vlera të konsiderueshme, por mungesa e një infrastrukture ligjore dhe teknike ka krijuar vështirësi në ruajtjen e tyre.
Sipas bilancit të fundit të SPAK-ut, vetëm gjatë vitit 2025 vlera e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara ka arritur në rreth 45.4 milionë euro. Një pjesë e konsiderueshme e tyre përbëhet nga kriptovaluta. Rasti më i bujshëm ishte ai i sekuestrimit të 10 milionë dollarëve në kriptomonedha, të lidhura me grupin kriminal të vëllezërve Çopja nga Elbasani.
Megjithëse operacioni u konsiderua një sukses, ai nxori në pah një problem serioz: shteti shqiptar nuk kishte portofolë zyrtarë dixhitalë dhe as kapacitetet e nevojshme për administrimin e këtyre aseteve.
Për këtë arsye, prokurorët e SPAK-ut iu drejtuan bashkëpunimit ndërkombëtar, duke siguruar ruajtjen e tyre me ndihmën e autoriteteve italiane dhe kompanive ndërkombëtare të këmbimit të kriptovalutave (exchanges). Në Komisionin e Ligjeve, ata kanë ngritur shqetësimin se portofolët dixhitalë kërkojnë mirëmbajtje të vazhdueshme dhe ndërhyrje urgjente ligjore, pasi as SPAK-u dhe as AAPSK nuk disponojnë aktualisht infrastrukturën e nevojshme për administrimin e tyre.
Me miratimin e projektligjit të ri, synohet plotësimi i këtij vakumi ligjor, duke përcaktuar qartë mënyrën se si do të sekuestrohen, administrohen dhe shiten kriptovalutat e konfiskuara, me të ardhurat që do të kalojnë në buxhetin e shtetit.
Çfarë parashikon projektligji?
Zgjerimi i kompetencave të AAPSK-së
Për herë të parë, Agjencia nuk do të administrojë vetëm pasuritë e sekuestruara apo të konfiskuara nga organet e drejtësisë. Kompetencat e saj do të shtrihen edhe mbi pasuritë e bllokuara me vendime të pushtetit vendor apo organeve të tjera administrative, duke përfshirë edhe ndërtimet pa leje.
Fondi i posaçëm për ndërtimet pa leje
Projektligji parashikon krijimin e një fondi të posaçëm për administrimin e objekteve pa leje të konfiskuara. Sipas draftit, këto pasuri do të mund të përdoren për interesa publike, strehim social apo për zbutjen e problematikave sociale në komunitete.
AAPSK merr në dorë procedurat e shitjes
Një nga ndryshimet kryesore lidhet me shitjen e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara. Nëse deri më sot procesi kërkonte përfshirjen e institucioneve të tjera, projektligji parashikon që AAPSK dhe Kryeadministratori të kryejnë vetë procedurat e ankandit dhe nënshkrimin e kontratave të shitjes, me qëllim shmangien e vonesave burokratike dhe rritjen e transparencës.
Shkurtimi i afateve të shitjes
Projektligji synon të përshpejtojë procedurat e shitjes së pasurive, duke bërë të mundur që të ardhurat e përfituara të kalojnë më shpejt në buxhetin e shtetit dhe në fondet me karakter social.
Formula e re për shpenzimet e administrimit
Për pasuritë që ndodhen në masë sekuestroje, shpenzimet e administrimit do të përcaktohen mbi bazën e një studimi tregu. Këto kosto do të mbulohen nga të ardhurat që gjeneron vetë Agjencia përmes qirave apo shitjes së pasurive që administron, pa krijuar barrë shtesë për buxhetin e shtetit.
Kriptomonedhat njihen zyrtarisht si pasuri e luajtshme
Një tjetër risi e projektligjit është përfshirja ligjore e monedhave virtuale në kategorinë e pasurive të luajtshme që mund të sekuestrohen, konfiskohen dhe administrohen nga shteti. Procedurat e detajuara për administrimin e tyre do të përcaktohen me akte nënligjore të Këshillit të Ministrave.
Nëse miratohet, projektligji do të shënojë një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën se si shteti shqiptar menaxhon pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara, duke i hapur rrugë edhe administrimit të aseteve dixhitale me vlerë miliona euro.



