KreuAktualitetKronikëShkarkohet drejtoresha e Postës në Durrës/ Kallëzohet penalisht pas dyshimeve për abuzim...

Shkarkohet drejtoresha e Postës në Durrës/ Kallëzohet penalisht pas dyshimeve për abuzim financiar

Shkarkohet nga detyra drejtoresha e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj, e cila është kallëzuar penalisht pas zbulimit të parregullsive financiare gjatë një kontrolli të ushtruar nga Drejtoria e Përgjithshme e institucionit.

Burime bëjnë me dije se dyshimet paraprake lidhen me një abuzim financiar që mund të arrijë deri në 3 milionë euro. Fillimisht, gjatë rakordimit të arkës në fund të muajit, janë konstatuar mungesa fondesh me vlerë rreth 1 miliard lekë, ndërsa verifikimet e mëtejshme kanë evidentuar se shuma e munguar mund të jetë edhe më e lartë.

Pas kontrollit të kryer në filialin e Durrësit, Posta Shqiptare ka marrë masa administrative ndaj punonjësve përgjegjës dhe ka depozituar kallëzim penal pranë organit të Prokurorisë për zbardhjen e plotë të rastit.

Ndërkohë, mësohet se ka dhënë dorëheqjen edhe drejtuesja e financës në këtë filial, Valbona Hoti Duni.

Në reagimin zyrtar, Posta Shqiptare sqaron se kontrolli është ushtruar nga Drejtoria Ekonomike, pas mospërputhjeve të konstatuara gjatë rakordimit të fondeve dhe raportimeve financiare.

Sipas institucionit, nga verifikimet janë evidentuar shkelje dhe parregullsi në administrimin e fondeve që lidhen me shërbimet e pagesave, duke theksuar se këto fonde nuk kanë asnjë lidhje me fondet e pensioneve apo pagesat e pensionistëve.

Posta Shqiptare bën të ditur se po bashkëpunon ngushtë me organet ligjzbatuese, duke vënë në dispozicion të tyre të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për hetimin e çështjes. Institucioni thekson se përgjegjësitë individuale dhe hapat e mëtejshëm proceduralë do të përcaktohen nga organet kompetente të drejtësisë.

Në deklaratën zyrtare, Posta Shqiptare e konsideron rastin si një tregues të funksionimit të mekanizmave të kontrollit të brendshëm, të cilët mundësuan identifikimin e parregullsive dhe referimin e menjëhershëm të tyre në Prokurori.

Institucioni rithekson se zbaton një politikë të tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit, shpërdorimit të detyrës dhe abuzimit me fondet publike, duke nënvizuar se integriteti dhe transparenca mbeten prioritete të panegociueshme.

Elisabeta Mataj ishte emëruar në krye të filialit të Postës Shqiptare në Durrës në tetor të vitit 2025, pas largimit të drejtueses së mëparshme, Etleva Budini, e cila fitoi mandatin e deputetes në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat