Partia Demokratike pritet të zhvillojë një garë me disa emra të njohur për postet drejtuese, ndërsa Flamur Noka ka vendosur të rikandidojë për një mandat të dytë si sekretar i Përgjithshëm i selisë blu.
Ndryshe nga disa prej drejtuesve aktualë që kanë zgjedhur të tërhiqen, Noka do të kërkojë besimin e demokratëve për të vijuar në të njëjtin post edhe në mandatin e ardhshëm.
Garë pritet të ketë edhe për tre postet e nënkryetarëve të Partisë Demokratike. Gazment Bardhi do të jetë pjesë e drejtimit të partisë “ex officio”, ndërsa emra të tjerë të njohur po përfliten si kandidatë potencialë.
Agron Gjekmarkaj dhe Oerd Bylykbashi kanë bërë me dije se nuk do të rikandidojnë për postin e nënkryetarit, ndërsa Luçiano Boçi pritet të kërkojë një mandat të dytë. Mes emrave që qarkullojnë për këtë post janë gjithashtu Belind Këlliçi, Bardh Spahia dhe Klevis Balliu.
Sipas Statutit të Partisë Demokratike, dy vendet që mbeten vakante pas tërheqjes së Gjekmarkajt dhe Bylykbashit duhet të plotësohen nga gra. Në këtë kuadër, Albana Vokshi është një nga emrat që përmendet më së shumti për postin e nënkryetares së PD-së.
Ndryshime priten edhe në strukturat e tjera drejtuese të partisë. Besart Xhaferraj nuk do të kandidojë sërish për drejtimin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), post që e ka mbajtur prej vitesh.
Po ashtu, Ivi Kaso ka vendosur të tërhiqet nga gara, duke i dhënë fund një angazhimi 12-vjeçar si sekretar për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore të PD-së.
Nga rikandidimi ka hequr dorë edhe Adriana Kalaja, e cila ka njoftuar se nuk do të kërkojë një mandat të ri në Komisionin e Apelimit.
Lëvizjet e fundit në Partinë Demokratike sinjalizojnë një rikonfigurim të strukturave drejtuese, me rikandidime, tërheqje dhe emra të rinj që pritet të garojnë për postet më të rëndësishme të partisë.



