KreuAktualitetPolitikaHumbi përballë Këlliçit/ Boçi ngre pikëpyetje: Votimi në PD nuk ishte i...

Humbi përballë Këlliçit/ Boçi ngre pikëpyetje: Votimi në PD nuk ishte i pastër

Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka komentuar zgjedhjet e fundit për postet drejtuese në PD, ku humbi garën për postin e nënkryetarit përballë Belind Këlliçit.

Në një intervistë, Boçi pranoi se procesi i votimit brenda strukturave të demokratëve ka pasur problematika dhe se vendimmarrja e anëtarëve nuk ka qenë tërësisht e bazuar në elementë objektivë.

Sipas tij, gara ka qenë e hapur dhe të dy kandidatët kanë pasur mundësi të barabarta, por ai vlerësoi se rezultati është ndikuar edhe nga faktorë subjektivë.

“Momenti i votimit është një moment që ka shumë elementë brenda. Nuk është shumë i pastër si moment, është shumë subjektiv dhe jo shumë objektiv. Të dy kishim të njëjtat mundësi. Nuk mendoj se Këlliçi ka lobuar më shumë”, u shpreh Boçi.

Ai shtoi se nuk dëshiron të analizojë detaje të procesit apo të kërkojë arsye specifike për rezultatin, duke e konsideruar votimin si pjesë të një gare politike.

Duke komentuar deklaratën e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, i cili e cilësoi ekipin e ri drejtues si “ekipin më të mirë në histori”, Boçi tha se vlerësimi duhet parë në kontekstin politik të momentit.

Sipas tij, situata e Partisë Demokratike sot është e ndryshme nga ajo e katër viteve më parë, kur ai u zgjodh nënkryetar në një periudhë që e cilësoi si një moment kritik për ekzistencën e partisë.

“Është e drejta e zotit Berisha të japë atë përcaktim. Është ekipi i kryetarit të partisë dhe është e drejta e tij të japë mendim. Ekipet varen edhe nga momentumi politik”, tha Boçi.

Ai theksoi se nuk mund të krahasohen dy periudha të ndryshme politike, duke shtuar se edhe ekipi i mëparshëm kishte rëndësinë e tij në një kohë të vështirë për demokratët.

“Zakonisht ne si shoqëri vuajmë nga amnezia, por edhe partitë politike në Shqipëri vuajnë nga amnezia. Duhet të konsiderojnë edhe atë që ka kaluar dhe nuk mund të krahasohen situata të ndryshme”, u shpreh deputeti demokrat.

Boçi theksoi se vlerësimi për ekipin e ri drejtues është një e drejtë e kryetarit të partisë, ndërsa gara për strukturat drejtuese është pjesë e zhvillimeve të brendshme të PD-së.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat