KreuAktualitetPolitikaRaporti i KE-së/ Përplasja Rama-SPAK për Ballukun, Brukseli evidenton sulmet ndaj drejtësisë

Raporti i KE-së/ Përplasja Rama-SPAK për Ballukun, Brukseli evidenton sulmet ndaj drejtësisë

Komisioni Evropian ka publikuar raportin për vitin 2026 mbi funksionimin e ligjit dhe institucioneve të drejtësisë në Shqipëri, ku krahas përparimeve të evidentuara, ngre shqetësime për përplasjet mes pushtetit politik dhe institucioneve të pavarura të drejtësisë.

Një nga çështjet e trajtuara në raport është përplasja mes kryeministrit Edi Rama, shumicës socialiste dhe Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), lidhur me procedurat për heqjen e imunitetit parlamentar të ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas Komisionit Evropian, vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të një zyrtari të lartë, si dhe kërkesa e SPAK drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit parlamentar, shkaktuan reagime të forta negative nga ana e ekzekutivit dhe shumicës parlamentare.

“Pezullimi nga detyra i një zyrtari të lartë, i urdhëruar nga Gjykata e SPAK-ut në përputhje me dispozitat në fuqi të Kodit të Procedurës Penale, si dhe kërkesa e SPAK-ut drejtuar Parlamentit për heqjen e imunitetit parlamentar të këtij zyrtari, shkaktuan reagime të forta negative nga ana e pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ, përfshirë sulme të drejtpërdrejta ndaj SPAK-ut dhe institucioneve gjyqësore”, thuhet në raport.

Raporti vlerëson punën e SPAK në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, duke theksuar se institucioni ka vijuar të prodhojë rezultate përmes hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve.

Megjithatë, Komisioni Evropian evidenton se sistemi i drejtësisë vijon të përballet me sfida, përfshirë përpjekjet për ndikim të papërshtatshëm ndaj institucioneve të drejtësisë dhe sulmet personale ndaj magjistratëve.

“Edhe pse sistemi gjyqësor mbetet rezistent, vazhduan përpjekjet për ndikim të papërshtatshëm ndaj institucioneve të drejtësisë dhe sulmet personale ndaj magjistratëve”, thekson raporti.

Sipas dokumentit, mbeten ende problematika në procesin e vlerësimit të gjyqtarëve, menaxhimin elektronik të çështjeve dhe funksionalizimin e plotë të një sistemi modern të integruar për administrimin e dosjeve gjyqësore.

Komisioni Evropian vëren gjithashtu se Policia e Shtetit mbetet një sektor i ekspozuar ndaj rreziqeve të korrupsionit. Në raport përmenden si fusha me risk të lartë edhe prokurimet publike dhe sektorë të tjerë ku Shqipëria vijon të zbatojë vlerësime të posaçme për parandalimin e korrupsionit.

“Rreziqet e korrupsionit vazhdojnë të jenë të pranishme në Policinë e Shtetit, në prokurimet publike dhe në sektorë me rrezik të lartë”, thuhet në raport.

Komisioni Evropian vlerëson se kuadri institucional për parandalimin e korrupsionit është përmirësuar, por nënvizon se bashkëpunimi mes institucioneve ligjzbatuese mbetet një sfidë që kërkon përmirësim.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat