Projektet turistike në zonën e Zvërnecit dhe ishullin e Sazanit kanë tërhequr vëmendjen jo vetëm të opinionit publik vendas, por edhe të mediave ndërkombëtare, të cilat i janë drejtuar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me kërkesa zyrtare për informacion.
Sipas raportit mujor të kërkesave për informacion të mediave, të siguruar nga gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, disa prej mediave më të njohura ndërkombëtare kanë kërkuar sqarime nga SPAK lidhur me hetimet eventuale për projektet turistike në jug të vendit, përfshirë edhe pyetje konkrete nëse ekziston një hetim ndaj Jared Kushner, dhëndrit të presidentit amerikan Donald Trump.
Një nga kërkesat ka ardhur nga televizioni amerikan Fox News, i cili i ka kërkuar SPAK të konfirmojë nëse po heton një projekt zhvillimi të lidhur me Kushnerin.
Në përgjigjen zyrtare, Prokuroria e Posaçme ka bërë të ditur se nuk ka nisur asnjë hetim ndaj ndonjë projekti të lidhur me Jared Kushner.
“Struktura Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) nuk ka asnjë hetim të hapur në lidhje me ndonjë projekt të lidhur me z. Jared Kushner”, thuhet në përgjigjen e SPAK.
Megjithatë, institucioni sqaron se ka një procedim tjetër në hetim, por që nuk lidhet me objektin e kërkesës së medias dhe se informacionet e mëtejshme nuk mund të bëhen publike për shkak të sekretit hetimor.
“SPAK ka filluar një hetim; megjithatë, ky hetim ka të bëjë me çështje që nuk lidhen me objektin e kërkesës suaj. Detajet e mëtejshme nuk mund të zbulohen për shkak të sekretit hetimor”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë së Posaçme.
Interesi i mediave të huaja është shtrirë edhe te çështjet që lidhen me ishullin e Sazanit dhe zonën e Gjirit të Nartës, ku janë planifikuar zhvillime të mëdha turistike.
Në mesin e mediave që kanë kërkuar informacion nga SPAK janë emra si “New York Times London”, CNN London, Anadolu Agency, MSNBC, CNN, CBS News London, “The Times”, RAI Tre dhe media të tjera ndërkombëtare.
Disa prej tyre kanë pyetur konkretisht nëse SPAK po heton çështje që lidhen me pronësinë e ishullit të Sazanit, qindra hektarët në zonën e Nartës dhe procedurat për dhënien e statusit të investitorit strategjik.
Në përgjigjet e saj, SPAK ka bërë të ditur se nuk ka një hetim të hapur lidhur me zhvillimin e një projekti specifik në Sazan, por ka nisur hetim mbi disa vendimmarrje të marra që prej vitit 2024.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimi lidhet me vendime për ndryshimin e statusit të mbrojtjes së tokës, dhënien e statusit “Investitor Strategjik” apo lehtësime të tjera që kanë të bëjnë me ndërtimet e reja turistike në ishullin e Sazanit, Bashkia Vlorë.
Kërkesat e shumta të mediave ndërkombëtare vijnë në një kohë kur projektet turistike në bregdetin jugor të Shqipërisë janë kthyer në një nga temat më të diskutuara publike, për shkak të përmasave të investimeve dhe ndikimit të tyre në zonat me rëndësi të veçantë natyrore dhe strategjike.



