KreuAktualitetPolitikaNjë video, dy versione/ Lotët e nënës me djalin autik dhe përplasja...

Një video, dy versione/ Lotët e nënës me djalin autik dhe përplasja e Ramës me protestuesit

Videoja e një nëne dhe djalit të saj me çrregullim të spektrit autik, e cila u shpërnda gjerësisht në rrjet pas protestës së 23 korrikut para Parlamentit, ka shkaktuar reagime të shumta publike dhe një valë solidariteti.

Në pamjet e publikuara shihet nëna, e identifikuar me emrin File, bashkë me të birin, teksa përpiqen të largohen nga zona e protestës për të shkuar në banesën e tyre, por pengohen nga ndërhyrja e policisë me ujë me përbërje irrituese ndaj protestuesve.

Frika e shfaqur nga fëmija dhe reagimi emocional i nënës prekën shumë qytetarë, duke sjellë një mbështetje të menjëhershme në platformën e mbledhjes së fondeve GoFundMe. Në një kohë të shkurtër, fushata e hapur për familjen ka arritur të mbledhë rreth 128 mijë dollarë.

Fondet e mbledhura pritet të përdoren për të ndihmuar familjen, e cila sipas organizatorëve të nismës jeton në kushte të vështira ekonomike, duke siguruar një banesë më të përshtatshme dhe mbështetje për terapitë e nevojshme të djalit.

Ndërkohë, gjatë mbledhjes së zgjeruar me deputetët socialistë, kryeministri Edi Rama ka komentuar këtë rast, duke sjellë një tjetër këndvështrim mbi ngjarjen.

Rama tha se nëna dhe djali nuk duhet të ishin përdorur si simbol i një përplasjeje politike dhe akuzoi organizatorë e protestues se e kanë vendosur familjen në qendër të konfliktit për të krijuar një perceptim kundër policisë dhe qeverisë.

Sipas kryeministrit, protestuesit e kanë përdorur rastin për të nxitur empati publike, ndërsa ai pretendoi se qeveria ka rritur mbështetjen për fëmijët me autizëm.

“Flamingot na treguan plagën që ta mbyllim ne, sorrat dhe korbat e kruajnë atë që ta mbajnë sa më gjatë hapur”, u shpreh Rama, duke përdorur metaforat që kishte përdorur edhe më herët gjatë fjalës së tij për protestat.

Duke iu referuar videos së nënës dhe fëmijës, kryeministri tha se ajo është marrë nga protestuesit për t’u paraqitur si viktimë e ndërhyrjes së policisë.

“Ne sapo e kemi dyfishuar mbështetjen për fëmijët autikë, por përjetimi për atë nënë është tjetër, sepse ajo nuk e ka ndjerë kurrë empatinë tonë”, deklaroi Rama.

Ai akuzoi disa prej pjesëmarrësve në protestë, të cilët i cilësoi me termat “sorra dhe korba”, se e kanë përdorur situatën për qëllime politike.

“E futën dorën e solidaritetit të tyre hipokrit për ta marrë te Parlamenti dhe për ta akuzuar duke e përdorur si mburojë”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se pamjet janë përdorur më pas në rrjetet sociale për të nxitur reagime emocionale, duke pretenduar se historia e familjes është kthyer në një mjet të përplasjes politike.

Deklaratat e Ramës vijnë pas një reagimi të gjerë publik ndaj pamjeve nga protesta, ku organizata të personave me aftësi të kufizuara kanë kërkuar zbardhjen e plotë të rrethanave dhe respektimin e të drejtave të personave vulnerabël gjatë ndërhyrjeve të sigurisë.

(LINKUN E GOFUNDME MUND TA KLIKONI KËTU)

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat