Numri i ndërmarrjeve shqiptare që operojnë në tregjet ndërkombëtare ka vijuar të rritet gjatë vitit 2025, si në aktivitetin eksportues ashtu edhe në atë importues. Të dhënat e INSTAT tregojnë një zgjerim të bazës së bizneseve që marrin pjesë në tregtinë e jashtme, megjithëse pjesën më të madhe të kompanive vazhdojnë ta përbëjnë ndërmarrjet mikro dhe të vogla.
Sipas statistikave zyrtare, numri i ndërmarrjeve eksportuese gjatë periudhës 2021–2025 ka arritur në 3,809 subjekte. Krahasuar me vitin 2024, numri i eksportuesve është rritur me 0.7%, ndërsa në raport me vitin 2021 rritja është 19.6%.
Struktura e kompanive eksportuese dominohet nga bizneset e vogla. Ndërmarrjet mikro përbëjnë 50.6% të totalit të eksportuesve, ndërsa ndërmarrjet e vogla zënë 33.4%. Pas tyre renditen ndërmarrjet e mesme me 13.5%, ndërsa kompanitë e mëdha përbëjnë vetëm 2.5% të numrit të përgjithshëm të eksportuesve.
Edhe në aktivitetin importues është regjistruar rritje. Në vitin 2025, numri i ndërmarrjeve që importojnë mallra arriti në 15,225, duke u rritur me 3.3% krahasuar me një vit më parë dhe me 25.7% në raport me vitin 2021.
Në këtë sektor, dominimi i bizneseve të vogla është edhe më i theksuar. Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme përbëjnë 98.9% të të gjitha kompanive importuese. Konkretisht, bizneset mikro zënë 70.2% të totalit, ndërmarrjet e vogla 22.4%, ndërsa ato të mesme 6.3%. Kompanitë e mëdha përfaqësojnë vetëm 1.1% të importuesve.
Megjithatë, për sa i përket vlerës financiare të mallrave të tregtuara, pesha ndryshon ndjeshëm. Edhe pse ndërmarrjet mikro janë më të shumta në numër, kontributi i tyre në vlerën totale të tregtisë së jashtme është më i kufizuar krahasuar me kompanitë e mesme dhe të mëdha.
Në eksporte, ndërmarrjet me 50 deri në 249 të punësuar mbajnë peshën kryesore, duke realizuar rreth 41% të vlerës totale të eksporteve shqiptare. Ndërkohë, kompanitë e mëdha me mbi 250 të punësuar kontribuojnë me rreth 27% të vlerës së eksporteve.
Në krahun tjetër, ndërmarrjet mikro, pavarësisht numrit të lartë, realizojnë rreth 11% të vlerës së eksporteve, duke treguar se kompanitë me kapacitete më të mëdha vazhdojnë të kenë ndikimin kryesor në volumin ekonomik të tregtisë së jashtme.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se tregtia ndërkombëtare shqiptare po zgjerohet në numër subjektesh, me një hyrje të vazhdueshme të bizneseve të reja në tregjet e huaja. Megjithatë, vlera kryesore e eksporteve dhe importeve mbetet e përqendruar te ndërmarrjet e mesme dhe të mëdha, të cilat kanë kapacitete më të larta prodhuese dhe tregtare.



