Gjykata e Posaçme ka vendosur që seanca e radhës ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi, të zhvillohet më 10 shtator, në orën 11:00, pas përfundimit të pushimeve gjyqësore.
Gjatë seancës së kësaj të mërkure, Ilir Meta hodhi akuza të forta ndaj Prokurorisë së Posaçme, duke pretenduar se SPAK ka mashtruar në mënyrë të përsëritur gjykatën lidhur me akuzat që kanë të bëjnë me çështjen e lobimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Meta deklaroi se arrestimi i tij më 21 tetor 2024 është kryer mbi bazën e një letërporosie që ai e cilësoi të falsifikuar, duke shtuar se dokumentacioni që lidhet me marrëveshjen me kompaninë DSIS kishte mbërritur disa javë më herët.
Sipas ish-presidentit, hetimi ndaj tij ka fillesat që në vitin 2018, pas publikimeve në mediat amerikane, ndërsa pretendoi se në çështje është përfshirë edhe ish-drejtuesi i FBI-së, Charles McGonigal, i cili është shpallur fajtor nga drejtësia amerikane.
Meta tha se McGonigal kishte zhvilluar takime në Vjenë me persona të ndryshëm përpara se të vinte në Shqipëri dhe përmendi emrat e Tom Doshit dhe Durim Bamit si persona që, sipas informacioneve që ai pretendon se disponon, kanë qenë pjesë e takimeve të zhvilluara në atë periudhë.
Ish-presidenti pretendoi gjithashtu se pas këtyre zhvillimeve ka ardhur edhe kallëzimi penal ndaj tij, duke theksuar se ai ka dhënë të gjitha shpjegimet e nevojshme gjatë marrjes në pyetje dhe se qëndrimet e tij mbeten të pandryshuara.
Një pjesë e deklaratës së Metës iu kushtua edhe procedurës së sekuestrimit të celularit të Monika Kryemadhit. Ai deklaroi se ka qenë i pranishëm gjatë kontrollit të banesës dhe se Kryemadhi u kishte bërë të ditur agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit se telefoni i sekuestruar ishte telefoni i saj personal dhe jo i nënës së saj, Fatime Kryemadhi.
Sipas Metës, në momentin e kontrollit Monika Kryemadhi kishte deklaruar se si deputete gëzonte imunitetin e parashikuar nga ligji dhe se kjo rrethanë duhej të pasqyrohej në procesverbal.
Ish-presidenti kritikoi gjithashtu faktin që, sipas tij, ekspertimi është kryer mbi një telefon që i është atribuar Fatime Kryemadhit, ndërkohë që pretendon se pajisja i përkiste Monika Kryemadhit.
Meta akuzoi SPAK-un se veprimet procedurale të ndërmarra ndaj tij janë të qëllimshme dhe me motivim politik. Ai konfirmoi se mbrojtja ka depozituar tashmë listën e dëshmitarëve që kërkon të thirren në gjykim, mes të cilëve, sipas tij, ndodhet edhe kryeministri Edi Rama.
Duke iu referuar çështjes së fibrave optike dhe biznesmenit Ardian Shatku, Meta deklaroi se nuk ka pasur dijeni për interesat apo veprimet e tij dhe se, nëse do të ishte informuar për to, do të kishte vepruar përmes instrumenteve ligjore dhe institucionale.
Ai theksoi se gjatë karrierës së tij politike ka qenë kundër krijimit të monopoleve dhe se çdo nismë për ndryshime ligjore do ta kishte ndjekur përmes Kuvendit, pa pasur nevojë të kërkonte favore apo ndërhyrje informale.
Në përfundim të deklaratës së tij, Meta u shpreh se procesi gjyqësor duhet të vijojë në mënyrë të rregullt ligjore për të zbardhur të vërtetën, duke akuzuar një pjesë të mediave për, sipas tij, përhapjen e informacioneve të pavërteta lidhur me çështjen.



