Administrata e Donald Trump ka përdorur një kanal të fshehtë komunikimi me drejtues të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), duke anashkaluar përkohësisht negociatorët zyrtarë të Teheranit në përpjekje për t’i dhënë fund luftës mes SHBA-së dhe Iranit.
Sipas tre burimeve me dijeni të drejtpërdrejtë për zhvillimet, Shtëpia e Bardhë iu drejtua presidentit të Rajonit të Kurdistanit të Irakut, Nechirvan Barzani, për të vendosur kontakt me drejtuesit e fuqishëm të IRGC-së.
Zhvillimi, i cili nuk ishte bërë më parë publik, tregon vështirësitë me të cilat është përballur Uashingtoni në negociatat me Teheranin, veçanërisht për shkak të dyshimeve amerikane se kush e kishte realisht autoritetin për të marrë vendime në emër të Iranit.
Washingtoni dyshoi te negociatorët iranianë
Pas armëpushimit të 8 prillit dhe një samiti të zhvilluar disa ditë më vonë në Islamabad, SHBA dhe Irani nisën përpjekjet për të negociuar përfundimin e luftës.
Në fillim të majit, administrata Trump besonte se një marrëveshje ishte pranë. Megjithatë, përgjigjja e Iranit u vonua për më shumë se dhjetë ditë.
Kjo bëri që negociatorët amerikanë të dyshonin se ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi dhe kryetari i parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf nuk kishin autoritetin e plotë për të arritur një marrëveshje.
Dyshimi kryesor ishte se vendimet e tyre mund të bllokoheshin nga Garda Revolucionare.
Pikërisht për këtë arsye, Shtëpia e Bardhë kërkoi një kanal të drejtpërdrejtë me udhëheqjen e IRGC-së.
Gabbard kontaktoi Barzanin
Rreth 10 majit, drejtoresha e atëhershme e Inteligjencës Kombëtare amerikane, Tulsi Gabbard, kontaktoi Nechirvan Barzanin.
Sipas dy burimeve, Gabbard i kërkoi Barzanit të ndihmonte në vendosjen e një kontakti me komandantin e Gardës Revolucionare, gjeneralin Ahmad Vahidi.
Barzani shihej si një nga personat e paktë që gëzonte besimin e figurave të rëndësishme si në Washington, ashtu edhe në Teheran. Ai kishte jetuar në Iran gjatë luftës Iran-Irak, kishte studiuar në Universitetin e Teheranit dhe fliste rrjedhshëm persisht.
Sipas burimeve, Gabbard i bëri të qartë Barzanit se po vepronte me miratimin e presidentit Trump dhe nënpresidentit JD Vance.
Qëllimi i Washingtonit ishte të kuptonte nëse udhëheqja e IRGC-së ishte në një linjë me negociatorët iranianë apo kishte kërkesa të tjera.
Kontakti sekret me gjeneralin Vahidi
Barzani pranoi të ndërmjetësonte dhe kontaktoi personat e tij në Gardën Revolucionare.
Më 14 maj, një zyrtar i IRGC-së mbërriti në zyrën e Barzanit në Erbil, duke marrë me vete një telefon të enkriptuar për të zhvilluar një komunikim të sigurt.
Gjatë bisedës, Barzani e pyeti gjeneralin Vahidi nëse ishte në një linjë me negociatorët iranianë.
Sipas një burimi me dijeni të drejtpërdrejtë, Vahidi konfirmoi se ishte dakord me ta dhe se Garda Revolucionare mbështeste zgjidhjen e krizës përmes negociatave.
Pas bisedës, Barzani kontaktoi Gabbard dhe e informoi për përgjigjen e gjeneralit. Informacioni më pas iu përcoll Shtëpisë së Bardhë.
SHBA kërkoi negociata sekrete në Erbil
Pas këtij komunikimi, administrata Trump bëri një tjetër përpjekje për të çuar përpara negociatat.
Sipas burimeve, Washingtoni i kërkoi Barzanit të organizonte në Erbil një takim sekret mes përfaqësuesve të lartë amerikanë dhe iranianë.
Propozimi iu përcoll palës iraniane, e cila nuk e përjashtoi plotësisht mundësinë, por shprehu shqetësime serioze për sigurinë e delegacionit.
Zyrtarët iranianë dyshonin se inteligjenca izraelite kishte një numër të madh asetesh në Kurdistanin irakian dhe kishin frikë se delegacioni mund të bëhej objektiv i një atentati në Erbil ose gjatë udhëtimit drejt qytetit.
Për këtë arsye, takimi sekret nuk u zhvillua.
Lufta ka ndryshuar ekuilibrat e pushtetit në Iran
Sipas raportimit, lufta ka sjellë ndryshime të rëndësishme në strukturën e pushtetit në Iran.
Vrasja e liderit suprem Ali Khamenei dhe e figurave të tjera të larta politike, e ndjekur nga rreth 40 ditë luftime, ka forcuar ndikimin e Gardës Revolucionare në çështjet e sigurisë kombëtare dhe politikës së jashtme.
Edhe pasiguria rreth gjendjes dhe rolit të liderit të ri suprem, Mojtaba Khamenei, si dhe mungesa e tij nga jeta publike gjatë javëve të para të luftës, kanë ndikuar në forcimin e pozicionit të komandantëve të IRGC-së.
Për Washingtonin, kjo ka krijuar një problem të madh: edhe nëse negociatat zhvillohen me zyrtarë të lartë të qeverisë iraniane, mbetet e paqartë nëse ata kanë autoritetin përfundimtar për të miratuar dhe zbatuar një marrëveshje.
Negociatat mbeten të bllokuara
Ndërkohë, ndërmjetësit nga Pakistani dhe Katari vijojnë të përcjellin mesazhe mes SHBA-së dhe Iranit, por deri tani nuk është shënuar ndonjë përparim i rëndësishëm.
Disa burime rajonale besojnë se pala pakistaneze mund të jetë duke e paraqitur situatën më optimiste nga sa është në të vërtetë, me synimin për të krijuar një ndjesi progresi dhe për të kapërcyer ngërçin.
Në këtë situatë, Barzani mund të luajë sërish një rol.
Sipas një burimi me dijeni për çështjen, ai u ka dërguar së fundmi mesazhe Shtëpisë së Bardhë, duke ofruar ndihmën e tij për rifillimin e negociatave mes Washingtonit dhe Teheranit.
Megjithatë, sipas ish-këshilltarit amerikan për Lindjen e Mesme, Brett McGurk, problemi kryesor nuk është gjetja e një ndërmjetësi të ri, por qëndrimi i Iranit lidhur me Ngushticën e Hormuzit, një çështje që sipas tij nuk pritet të ndryshojë së shpejti.
Zbulimi i kanalit sekret nxjerr në pah një nga problemet më të mëdha me të cilat është përballur administrata Trump në negociatat me Teheranin: jo vetëm çfarë kërkon Irani, por edhe kush e ka realisht fuqinë për të thënë “po” dhe për ta zbatuar një marrëveshje.



