KreuAktualitetPolitikaKush është viktima e parë e “Komisionit Balla”?/ Berisha 'vajton" rrjetet sociale

Kush është viktima e parë e “Komisionit Balla”?/ Berisha ‘vajton” rrjetet sociale

Sali Berisha ka akuzuar qeverinë se po ushtron presion ndaj përfaqësuesve të saj për qëndrimet që mbajnë në rrjetet sociale, veçanërisht lidhur me protestat e zhvilluara kundër qeverisë.

Gjatë deklaratës së tij, Berisha foli me ironi për atë që e quajti “Komisioni Balla”, duke pretenduar se bëhet fjalë për një strukturë që po monitoron postimet në rrjetet sociale të përfaqësuesve të qeverisë.

Sipas Berishës, qëllimi është identifikimi i atyre që nuk kanë reaguar publikisht kundër lëvizjes rinore qytetare, e cila prej ditësh po zhvillon protesta kundër qeverisë.

Berisha tha se “viktima e parë” e këtij komisioni do të jetë Niko Peleshi. Sipas tij, Peleshi është konsideruar nga Taulant Balla si joaktiv në rrjetet sociale kundër protestuesve.

“Panik, tmerr, frikë në kampin e qeverisë. Krijohet Komisioni Balla. Komisioni Balla është komisioni që po kontrollon statuset në mediat sociale të nomenklaturës, për të identifikuar ata të cilët nuk kanë bërë statuse kundër lëvizjes rinore qytetare”, tha Berisha.

Ai vijoi me ironinë duke thënë se Peleshi pritet të zëvendësohet nga Balla.

“Viktima e parë e Komisionit Balla do jetë Niko Peleshi, i cili sipas Ballës, është treguar sylesh ndaj lëvizjes rinore qytetare dhe nuk ka statuse në mediat e tij kundër tyre. Pritet zëvendësimi i shpejtë i Peleshit me Ballën”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike.

Berisha shtoi se, sipas tij, mund të ketë edhe persona të tjerë që do të përballen me pasoja për qëndrimet e tyre në rrjetet sociale, por nuk dha emra.

“A do ketë viktima të tjera? Do ketë, por ato janë pa emër, pa pasojë, ndaj dhe nuk ia vlen fare t’i përmendësh”, përfundoi Berisha.

Akuzat e Berishës vijnë në një kohë kur protestat kundër qeverisë janë kthyer në një nga zhvillimet kryesore të opozitës, ndërsa mazhoranca nuk ka bërë të ditur ndonjë strukturë zyrtare me funksionin e pretenduar nga kreu i PD-së.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat