KreuAktualitetEkonomia30 tendera dhe 6.2 miliardë lekë fond limit/ Kush fshihet pas OSHIS?

30 tendera dhe 6.2 miliardë lekë fond limit/ Kush fshihet pas OSHIS?

Në muajt e verës, kur aktiviteti institucional dhe politik zakonisht ngadalësohet, në sistemin e prokurimeve publike vijojnë të shfaqen procedura me vlera të konsiderueshme.

Një prej tyre është tenderi për ofrimin e shërbimit të hemodializës në pesë qendra spitalore në vend, me një fond limit prej 4,591,430,480 lekësh pa TVSH.

Procedura është hapur nga Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit (OSHIS) sh.a., një shoqëri me pronësi publike, 100% në pronësi të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas të dhënave të publikuara në Open Procurement Albania, objekti i tenderit është: “Ofrimi i shërbimit të hemodializës në 5 (pesë) qendra të hemodializës, të ngritura në spitalet Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan”, me një marrëveshje kuadër me kohëzgjatje 48 muaj.

Bëhet fjalë për një nga procedurat më të mëdha të publikuara nga kjo shoqëri që prej krijimit të saj.

4.5 miliardë lekë për hemodializën

Fondi limit i tenderit është 4.59 miliardë lekë pa TVSH.

Në dokumentet e publikuara, nga Aranita Brahaj, procedura rezulton aktualisht me statusin “Shpallur Procedura”, ndërsa nuk figuron ende një operator ekonomik fitues.

Shërbimi do të ofrohet në pesë qendra hemodialize, në spitalet e Shkodrës, Lezhës, Korçës, Vlorës dhe Elbasanit.

Për shkak të vlerës së lartë dhe kohëzgjatjes së marrëveshjes, tenderi është një nga procedurat që bie më shumë në sy në listën e prokurimeve të OSHIS.

OSHIS, shoqëria e re publike që ka hapur 30 tendera

Në fokus është edhe vetë shoqëria që ka zhvilluar procedurën.

Të dhënat e Open Procurement Albania tregojnë se Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit sh.a. ka shpallur 30 tendera, me një fond limit të përgjithshëm prej 6,212,861,464 lekësh pa TVSH.

Nga këto, 10 procedura rezultojnë me fitues të shpallur, me një fond limit prej 558,592,281 lekësh dhe vlerë totale të shpallur fituese prej 504,364,464 lekësh. Në total, në këto 30 procedura janë evidentuar 13 operatorë ekonomikë.

Pra, brenda një periudhe relativisht të shkurtër, një shoqëri e re publike është bërë autoritet për një numër të konsiderueshëm procedurash prokurimi, me vlera që së bashku kalojnë 6.2 miliardë lekë.

Çfarë tjetër ka prokuruar OSHIS?

Lista e tenderave tregon se aktiviteti i shoqërisë nuk kufizohet vetëm te shërbimet e sterilizimit.

Në listë gjenden procedura për materiale mjekësore, mirëmbajtje pajisjesh, transport mbetjesh spitalore, automjete, karburant, pajisje IT, uniforma, materiale pastrimi dhe shërbime të tjera.

Ndër procedurat me vlera më të larta janë edhe:

Shërbimi rezervë për transportin e seteve dhe materialeve sterile dhe jo sterile, me fond limit rreth 159.9 milionë lekë;
Materiale mjekësore për ndërhyrje kirurgjikale, me fond limit rreth 239.7 milionë lekë;
Shërbimi rezervë për trajtimin e mbetjeve spitalore me rrezik biologjik, me fond limit 272.16 milionë lekë;
Mirëmbajtja Full-Risk e pajisjeve mjekësore të sterilizimit STEELCO, me fond limit rreth 191.4 milionë lekë;
Furnizimi, instalimi dhe konfigurimi i pajisjeve IT, sistemeve të kontrollit të aksesit dhe softuereve, me fond limit rreth 138.3 milionë lekë;
Mirëmbajtja Full-Risk e pajisjeve të sterilizimit CISA, me fond limit rreth 60.7 milionë lekë.

Në listë ka edhe procedura më të vogla, nga blerja e karburantit dhe uniformave të punës deri te materialet e kancelarisë, tonerët dhe shërbimet e printimit.

Një shoqëri e krijuar rishtazi, por me një aktivitet të gjerë

Sipas të dhënave të OpenCorporates Albania, OSHIS është një shoqëri aksionare me pronësi publike.

Regjistrimi i saj në të dhënat e shoqërisë lidhet me janarin e vitit 2026, ndërsa krijimi i saj formal është bërë në bazë të VKM-së nr. 845, datë 30 dhjetor 2025, për krijimin e shoqërisë aksionare “Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit”, sh.a.

Shoqëria ka një kapital themeltar prej 200 milionë lekësh dhe administratore rezulton Arisa Cane.

Të dhënat e regjistruara e përcaktojnë pronësinë si publike, ndërsa zotëruesi i 100% të shoqërisë është Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.

Objekti i aktivitetit përfshin ofrimin e seteve të personalizuara të instrumenteve kirurgjikale sterile, furnizimin me materiale mjekësore sterile, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik, dezinfektimin e sallave kirurgjikale, menaxhimin e Stacionit Qendror të Sterilizimit në QSUT dhe shërbime të tjera të lidhura me procesin e sterilizimit.

Nga sterilizimi te hemodializa

Pikërisht këtu lind edhe një nga elementët që kërkon vëmendje në analizimin e aktivitetit të kësaj shoqërie.

OSHIS është krijuar me një fokus të rëndësishëm te shërbimet e integruara të sterilizimit dhe menaxhimit të materialeve e mbetjeve spitalore, ndërsa në listën e saj të prokurimeve tashmë gjendet edhe një procedurë shumë e madhe për shërbimin e hemodializës.

Kjo procedurë, me fond limit 4.59 miliardë lekë pa TVSH dhe kohëzgjatje 48 muaj, përbën pjesën më të madhe të fondit limit të regjistruar deri tani nga OSHIS.

Në fakt, vetëm ky tender përfaqëson rreth 74% të fondit limit total prej 6.21 miliardë lekësh të 30 procedurave të listuara nga Open Procurement Albania.

Pse bie në sy muaji gusht?

Të dhënat e prokurimeve tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e procedurave me vlera të larta po zhvillohen gjatë periudhës së verës.

Në rastin e OSHIS, tenderi i hemodializës është veçanërisht i rëndësishëm jo vetëm për shkak të shumës, por edhe sepse bëhet fjalë për një shërbim të drejtpërdrejtë për pacientët në pesë qytete të vendit dhe për një marrëveshje katërvjeçare.

Për momentin, nga të dhënat publike të tenderit, nuk ka fitues të shpallur. Procedura rezulton e hapur dhe në fazën e prokurimit.

Kjo do të thotë se vlera prej 4.59 miliardë lekësh është fondi limit, jo një shumë e paguar tashmë dhe as vlera përfundimtare e kontratës.

Një tjetër pikë që kërkon transparencë

Lista e Open Procurement Albania tregon se nga 30 procedurat e shpallura nga OSHIS, vetëm 10 rezultojnë me fitues të shpallur deri në momentin e kontrollit, ndërsa të tjerat janë në faza të ndryshme të procedurës, përfshirë tendera të shpallur, të rishpallur ose të anuluar.

Kjo e bën të mundur ndjekjen e tyre njëra pas tjetrës. Sa është fondi limit, sa oferta janë paraqitur, kush fiton, me çfarë vlere është lidhur kontrata dhe sa është diferenca mes fondit limit dhe ofertës fituese.

Në disa prej procedurave të përfunduara, diferenca mes fondit limit dhe vlerës fituese është e konsiderueshme, ndërsa në raste të tjera vlera e kontratës është shumë pranë fondit limit.

Në këtë fazë nuk ka të dhëna që të provojnë shkelje në tenderin e hemodializës. Por madhësia e fondit, karakteri publik i shoqërisë dhe numri i lartë i procedurave të hapura në një periudhë të shkurtër e bëjnë aktivitetin e OSHIS një fushë që meriton monitorim të detajuar të çdo faze të prokurimit.

Pyetja tani është se kush do ta fitojë tenderin 4.59 miliardë lekësh për hemodializën dhe me çfarë vlere do të lidhet kontrata për katër vitet e ardhshme?

E Vërteta.al

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat