SPAK është kthyer në një nga pikat më të forta të përplasjes politike në Shqipëri. Për opozitën, hetimet ndaj disa prej figurave të saj janë dëshmi se drejtësia po përdoret për të goditur kundërshtarët politikë. Për mazhorancën, të njëjtat hetime janë prova se reforma në drejtësi po funksionon dhe se askush nuk është mbi ligjin.
Në mes të kësaj përplasjeje janë disa nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit, nga Sali Berisha dhe dosja “Partizani”, te Ilir Meta, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku.
Pyetja që ka mbetur pezull në debatin politik është nëse kemi përballë një SPAK që po heton në mënyrë të barabartë të gjitha palët, apo një institucion që, sipas opozitës, po përdor standarde të ndryshme në raste të ngjashme.
Por përtej deklaratave politike, çfarë tregojnë vetë dosjet?
Berisha: SPAK është nën kontrollin e Ramës
Një nga përplasjet më të forta ka qenë ajo mes Sali Berishës dhe SPAK.
Në vitet e fundit, kreu i Partisë Demokratike e ka akuzuar vazhdimisht Strukturën e Posaçme se është e ndikuar politikisht nga Edi Rama.
Në një prej deklaratave të tij, Berisha e ka cilësuar SPAK-un si të kontrolluar politikisht dhe ka pretenduar se drejtësia po përdoret për të goditur opozitën.
Edhe deputetë të tjerë demokratë kanë përdorur termin “drejtësi selektive”. Edhe Luan Baçi nga PD, ka deklaruar se opozita nuk ishte kundër SPAK si institucion, por kundër asaj që ai e quajti “drejtësi selektive dhe spekulative”.
Kjo përplasje u ashpërsua veçanërisht pas hetimit ndaj Berishës për dosjen “Partizani”.

SPAK ka argumentuar se ish-kryeministri, gjatë kohës që ishte në detyrë, kishte ndërmarrë veprime konkrete përmes akteve ligjore dhe nënligjore që, sipas prokurorisë, i kishin sjellë përfitime dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi në procesin e privatizimit të kompleksit “Partizani”.
Berisha i ka mohuar akuzat dhe e ka cilësuar procesin si politik. SPAK flet për prova dhe veprime konkrete të lidhura me privatizimin, ndërsa Berisha e sheh çështjen si një goditje politike ndaj opozitës.
Ilir Meta, nga akuzat për korrupsion te pretendimi për hakmarrje politike
Një tjetër rast që ka ushqyer debatin është ai i ish-presidentit Ilir Meta. Edhe në këtë dosje, akuzat e drejtësisë janë përballur me një reagim të fortë politik.
Meta dhe Partia e Lirisë kanë kundërshtuar mënyrën se si është zhvilluar hetimi, ndërsa arrestimi i ish-presidentit u përdor nga opozita si argument për të akuzuar qeverinë për përdorimin e drejtësisë kundër kundërshtarëve politikë.

Nga ana tjetër, për SPAK, çështja nuk lidhet me aktivitetin politik të Metës, por me dyshime konkrete për vepra penale që janë objekt i hetimit dhe gjykimit.
Kjo është pikërisht pika ku debati politik dhe ai juridik ndahen. Një person mund të jetë figurë politike, por përgjegjësia penale duhet të provohet në gjykatë dhe jo në konferenca shtypi.
Erion Veliaj, një tjetër pikë e fortë e përplasjes
Dosja e Erion Veliajt e ka çuar përplasjen në një tjetër nivel. Kryetari i Bashkisë së Tiranës u arrestua dhe u vu nën hetim nga SPAK, ndërsa opozita e përdori çështjen si provë të korrupsionit në pushtetin vendor.
Mazhoranca, nga ana tjetër, ka theksuar se arrestimi dhe hetimi i një zyrtari të rëndësishëm të saj tregojnë pikërisht se SPAK nuk po vepron vetëm ndaj opozitës.

Ky është një nga argumentet kryesore të socialistëve në debatin me opozitën. Nëse SPAK do të ishte një instrument i qeverisë, pse do të hetonte dhe do të merrte masa ndaj figurave të rëndësishme të mazhorancës?
Por opozita përgjigjet se problemi nuk është nëse hetohet një apo dy zyrtarë socialistë, por nëse të gjitha dosjet me të njëjtin nivel dyshimesh trajtohen me të njëjtin intensitet.
Balluku, dosja që e çoi konfliktin deri në Kushtetuese
Një nga rastet më të fundit dhe më të forta është ai i Belinda Ballukut. SPAK e mori Ballukun të pandehur në një hetim që lidhet me procedura prokurimi, ndërsa GJKKO vendosi edhe pezullimin e saj nga detyra.
Çështja shkaktoi një përplasje të drejtpërdrejtë mes qeverisë dhe drejtësisë. Edi Rama e kundërshtoi vendimin dhe iu drejtua Gjykatës Kushtetuese. Çështja u shndërrua në një debat mbi kufijtë e kompetencave të gjykatave dhe pushtetit ekzekutiv.
Ndërkohë, SPAK kërkoi edhe autorizimin e Kuvendit për arrestimin e Ballukut.

Kjo kërkesë u kthye në një tjetër betejë politike. Në fund, Kuvendi nuk e miratoi kërkesën për heqjen e imunitetit parlamentar.
Opozita e përdori rastin si argument për të sulmuar mazhorancën dhe për të akuzuar shumicën se po mbron zyrtarët e saj.
Por socialistët e kanë interpretuar ndryshe. Sipas tyre, fakti që SPAK ka hetuar dhe ka kërkuar masa ndaj një zyrtareje të lartë të qeverisë është pikërisht dëshmi se nuk ekziston një drejtësi e kontrolluar nga mazhoranca.
Opozita: Pse këta po, të tjerët jo?
Kjo është linja kryesore e argumentit opozitar. Nuk mjafton, sipas saj, të thuhet se SPAK ka hetuar disa zyrtarë të mazhorancës. Pyetja duhet të jetë nëse hetimet janë shtrirë në të gjitha rastet ku ka indicie të ngjashme për korrupsion.
Kjo tezë është shprehur në mënyrë të përsëritur nga drejtues dhe deputetë të opozitës.
Një raport monitorimi i Institutit të Studimeve Politike për periudhën janar-mars 2026 evidenton pikërisht këtë përplasje në diskursin politik, ku ozita ka akuzuar qeverinë për ndërhyrje në drejtësi dhe për përdorimin e saj si mekanizëm mbrojtjeje politike.
Pra, akuza nuk është thjesht se “SPAK heton opozitën”. Është më specifike. Pse disa dosje ecin me shpejtësi, ndërsa të tjera që opozita i konsideron po aq të rënda nuk marrin të njëjtin trajtim?
Mazhoranca: SPAK po heton edhe njerëzit tanë
Nga ana tjetër, socialistët kanë një argument që nuk mund të anashkalohet. Mazhoranca thekson se SPAK ka hetuar figura të rëndësishme të saj, përfshirë zyrtarë të lartë dhe drejtues vendorë.
Edi Rama ka deklaruar vazhdimisht mbështetjen e tij për reformën në drejtësi dhe ka akuzuar opozitën se e sulmon SPAK-un sa herë që një hetim prek drejtuesit e saj. Në një deklaratë publike, Rama ka thënë se opozita e sheh SPAK-un si “aleat” për të bërë politikë opozitare.
Kjo është kundërpërgjigjja e mazhorancës ndaj akuzës për “drejtësi selektive”. Nëse SPAK do të ishte nën kontrollin politik të qeverisë, argumenton mazhoranca, atëherë si shpjegohet që një sërë dosjesh kanë prekur ministra, kryetarë bashkish dhe funksionarë të lartë socialistë?
SPAK-u ka edhe një tjetër problem
Përtej përplasjeve të drejtpërdrejta, ekziston një problem që nuk zgjidhet me deklarata politike si perceptimi publik. Sa herë një politikan merret i pandehur, arrestohet ose dërgohet në gjykatë, çështja kthehet menjëherë në betejë politike. Nëse personi është nga mazhoranca, opozita flet për korrupsion dhe kapje të shtetit. Nëse personi është nga opozita, mazhoranca flet për faktin se “drejtësia po funksionon”.
Kjo e bën gjithnjë e më të vështirë ndarjen e faktit juridik nga interpretimi politik.
Raporti i SPAK për vitin 2025 tregon se institucioni ka rritur aktivitetin hetimor. Sipas të dhënave të raportuara, gjatë vitit 2025 u regjistrua një rritje prej 17.7% e çështjeve dhe hetimeve të reja, ndërsa u përfunduan 12.2% më shumë çështje dhe hetime. SPAK dërgoi në gjykatë 10 procedime me 13 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë.
Këto shifra nuk e provojnë vetë as tezën e opozitës dhe as atë të mazhorancës. Por tregojnë se SPAK ka zgjeruar ndjeshëm aktivitetin e tij në hetimin e korrupsionit.
Pas paraqitjes në SPAK/ Berisha: Dumani po mbron qeveritarët e klanit “Aruba”
Berisha paralajmëron dosje të tjera/ “Kam materiale për prokurorë të SPAK”
Berisha sulmon SPAK-un/ “Dumani hapi hetim ‘pa emër’ për gjyqtaren Gjoka”
Rama dhe SPAK-u në përplasje/ Kush po e vë në provë drejtësinë e re?
Dokumenti i 11 marsit/ Meta: Prokurorët mashtruan Departamentin e Drejtësisë
Korrupsion dhe para të pista?/ Meta dhe Kryemadhi në bankën e të akuzuarve
Vila luksoze në Lalz dhe ditëlindja 500 mijë euro/ Jetë e thjeshtë apo luks i Ilir Metës?
Nga simbol i “Rilindjes Urbane” në simbol të SPAK-ut/ Dosja e zezë e Erion Veliajt
I fundosur nga dosja e SPAK-ut/ Me 13 akuza, Veliaj kërkon oksigjen juridik në çdo derë gjykate
Pas sulmit ndaj prokurorit/ Veliaj del jashtë kontrollit në gjykatë
Një dosje, tre përplasje/ Balluku mes SPAK-ut, Ramës dhe Kuvendit



