Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka miratuar sot modelin e fletës që do të përdoret për mbledhjen e nënshkrimeve për zhvillimin e një referendumi të përgjithshëm për shfuqizimin e ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura.
Vendimi lidhet me ligjin nr. 21/2024, i cili ndryshon ligjin për zonat e mbrojtura. Me miratimin e fletës tip, nismëtarët e referendumit mund të vijojnë procedurën për mbledhjen e firmave të zgjedhësve.
Sipas vendimit të Komisionerit, mbledhja e nënshkrimeve do të mund të zhvillohet nga hyrja në fuqi e vendimit deri më 31 mars 2027.
Procesi do të pezullohet gjatë periudhës së ndaluar nga Kodi Zgjedhor, konkretisht nga 1 deri më 31 dhjetor 2026.
Nisma për referendum synon shfuqizimin e ligjit nr. 21/2024, “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 81/2017, ‘Për zonat e mbrojtura’”.
Në të njëjtën mbledhje, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve plotësoi edhe vakancat në pesë këshilla bashkiakë.
Në Këshillin Bashkiak Pukë u mandatua Ervin Cenaj, nga lista shumemërore e Partisë Socialdemokrate.
Në Këshillin Bashkiak Devoll u mandatua Elona Limka, nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Në Këshillin Bashkiak Mallakastër u mandatua Erlinda Jaupaj, gjithashtu nga lista e Partisë Socialiste.
Në Këshillin Bashkiak Krujë u mandatua Hamit Stema, nga lista shumemërore e Partisë Socialdemokrate.
Ndërsa në Këshillin Bashkiak Patos u mandatua Elsida Kalemi, nga lista shumemërore e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Me këto vendime, KQZ vijon procedurat administrative dhe zgjedhore për funksionimin e organeve të qeverisjes vendore, ndërsa nis edhe një fazë e re për nismën e referendumit për zonat e mbrojtura.



