Shkollat private do të jenë nën një kontroll më të rreptë gjatë vitit të ri shkollor 2026-2027. Një udhëzim i përbashkët i Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit përcakton një sërë detyrimesh për mënyrën se si duhet të funksionojnë institucionet private të arsimit parauniversitar.
Kontrollet nuk do të lidhen vetëm me kriteret që duhen plotësuar për licencimin. Strukturat përgjegjëse të arsimit do të verifikojnë edhe kushtet në të cilat ushtrohet veprimtaria e institucioneve private dhe nëse ato vazhdojnë të përmbushin kërkesat e përcaktuara.
Në nisje të vitit shkollor, shkollat private duhet të dorëzojnë të dhëna statistikore për numrin e nxënësve, listën e mësuesve, certifikatën e regjistrimit në organin tatimor, si dhe planin vjetor të institucionit.
Udhëzimi përcakton procedura edhe për rastet kur një institucion privat vendos të ndërpresë aktivitetin. Në këtë situatë, shkolla duhet të njoftojë strukturat arsimore vendore, Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar, Ministrinë e Arsimit dhe Qendrën Kombëtare të Biznesit.
Po ashtu, institucioni duhet të dorëzojë dokumentacionin shkollor sipas procedurave të përcaktuara, në mënyrë që të garantohet ruajtja dhe administrimi i të dhënave të nxënësve edhe pas mbylljes së aktivitetit.
Rregulla të veçanta parashikohen edhe për shkollat private që zhvillojnë mësimin në gjuhë të huaj dhe lëshojnë diploma të huaja.
Për maturantët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitetet shqiptare, këto institucione duhet të bashkëpunojnë me strukturat përgjegjëse për procedurat e njësimit të diplomave të huaja.
Ndërsa për nxënësit që planifikojnë të vazhdojnë studimet jashtë Shqipërisë, shkollat duhet të ndjekin kriteret dhe procedurat e përcaktuara nga shtetet ku nxënësit do të aplikojnë.
Në këtë mënyrë, udhëzimi synon që kontrolli mbi arsimin privat të mos mbetet vetëm në fazën e licencimit, por të shtrihet përgjatë gjithë funksionimit të institucionit, nga raportimi i aktivitetit dhe të dhënat për nxënësit e mësuesit, deri te administrimi i dokumentacionit në rast ndërprerjeje të veprimtarisë.



