Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
“Pasqyra e Çmimeve”, platforma e prezantuar nga qeveria për krahasimin e çmimeve të produkteve ushqimore, ka nisur funksionimin këtë të hënë, më 12 tetor. Qytetarët mund të konsultojnë çmimet në internet dhe të krahasojnë ofertat e disa prej rrjeteve më të mëdha të supermarketeve në vend.
Platforma përfshin 238 produkte të ndara në 13 kategori, ku përfshihen ushqimet bazë, bulmeti, vezët, mishi, frutat dhe perimet. Në sistem raportohen çmime nga pesë rrjete tregtare, përmes 155 pikave të shitjes në 15 qytete.
Por, ndërsa nisma synon të rrisë transparencën dhe t’u japë familjeve mundësinë të kursejnë, një nga çështjet kryesore mbetet përputhja e çmimeve të publikuara me ato që konsumatorët gjejnë në dyqane.
Çmimet raportohen nga supermarketet
Sipas metodologjisë së publikuar në platformë, çmimet raportohen çdo javë nga vetë subjektet tregtare. Ministria i verifikon të dhënat dhe, kur konstaton pasaktësi, kërkon korrigjimin e tyre përpara publikimit. Për saktësinë e informacionit të raportuar përgjegjësinë e mbajnë tregtarët.
Kjo do të thotë se çmimet nuk pasqyrohen në kohë reale. Nëse një supermarket ndryshon çmimin gjatë javës, ndryshimi mund të shfaqet në publikimin e radhës dhe jo menjëherë në platformë.
Për më tepër, vetë faqja sqaron se çmimet e publikuara kanë karakter informues dhe mund të ndryshojnë nga çmimet që aplikohen në arkë. Prandaj, konsumatorët duhet ta përdorin platformën si një mjet krahasimi, pa e konsideruar çdo çmim të publikuar si garanci se i njëjti çmim do të zbatohet në çdo pikë shitjeje.
Jo të gjitha dyqanet përfshihen në krahasim
Një tjetër kufizim është se platforma nuk përfshin të gjithë tregun. Të dhënat vijnë nga rrjetet tregtare pjesëmarrëse, ndërsa dyqanet e vogla, tregjet dhe subjektet që nuk janë pjesë e këtij mekanizmi nuk përfshihen në raportim.
Për këtë arsye, çmimi më i ulët i shfaqur në platformë nuk është domosdoshmërisht çmimi më i ulët që mund të gjendet në të gjithë tregun. Gjithashtu, krahasimi bëhet sipas njësisë matëse, si kilogrami, litri ose copa, për të shmangur dallimet që vijnë nga paketimet me madhësi të ndryshme.
238 produkte online/ Sa të sakta do të jenë çmimet në supermarkete?



