KreuDrejtësia“Show” me fotot e Agasit/ Lamallari u kërkon etikë drejtuesve të Policisë

“Show” me fotot e Agasit/ Lamallari u kërkon etikë drejtuesve të Policisë

Pas arrestimit të Ergys Agasit dhe publikimit të fotove të tij në ambientet e Policisë, ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka mbledhur drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit dhe strukturave të Policisë Kufitare.

Takimi, ku ishte i pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, u zhvillua me fokus te standardet e shërbimit ndaj qytetarëve, mënyra e komunikimit me publikun dhe rritja e besimit te Policia.

Në këtë takim, Lamallari kërkoi që çdo strukturë policore, në çdo nivel, të jetë e orientuar drejt qytetarit dhe të ofrojë një shërbim profesional, etik, të shpejtë dhe në përputhje me ligjin.

Mesazhi i ministrit vjen në një moment kur Policia është përballur me kritika pas publikimit të pamjeve të Ergys Agasit pas arrestimit të tij. Për daljen e fotove në publik është nisur një hetim administrativ dhe dy efektivë të forcave “Shqiponja” janë pezulluar nga detyra.

Lamallari u ndal te rëndësia e mënyrës se si Policia komunikon me qytetarët dhe menaxhon çdo kontakt me publikun.

“Perceptimi dhe besimi i qytetarëve ndërtohen çdo ditë, mbi bazën e profesionalizmit, etikës dhe mënyrës se si Policia u përgjigjet ankesave, shqetësimeve dhe kërkesave të tyre për informacion”, u shpreh ministri.

Ai theksoi se respektimi i etikës duhet të jetë një detyrim bazë për çdo punonjës policie.

“Etika është minimumi. Shërbimi cilësor, i shpejtë dhe konform ligjit është ajo çfarë presin dhe meritojnë qytetarët”, tha Lamallari.

Drejtuesve vendorë iu kërkua që këto standarde të jenë pjesë e punës së përditshme dhe që çdo ankesë apo shqetësim i qytetarëve të trajtohet me shpejtësi dhe në mënyrë të drejtë.

Ministri kërkoi gjithashtu vëmendje të shtuar ndaj komunikimit me publikun, duke theksuar se çdo kontakt i qytetarit me Policinë ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si perceptohet institucioni.

Takimi vjen në një periudhë kur Policia e Shtetit është nën vëmendje për mënyrën e administrimit dhe publikimit të materialeve që lidhen me personat e arrestuar, ndërsa hetimi për fotot e Ergys Agasit pritet të përcaktojë përgjegjësitë për mënyrën se si ato përfunduan në publik.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat