Një sasi e vogël lënde plasëse, e lidhur me një aparat celular, është gjetur mëngjesin e sotëm në rrugë, në lagjen nr. 3 në Durrës, duke alarmuar banorët dhe shërbimet e Policisë.
Objekti i dyshimtë u konstatua në rrugë dhe menjëherë u sigurua perimetri për të shmangur çdo rrezik të mundshëm për qytetarët.
Në vendngjarje mbërritën specialistët xhenierë të RENEAS, të cilët ndërhynë për çaktivizimin e lëndës plasëse. Sipas Policisë, bëhej fjalë për një sasi të vogël eksplozivi, të lidhur me një aparat celular.
Pas ndërhyrjes së xhenierëve, objekti u çaktivizua dhe rreziku u eliminua.
Tashmë hetimi është përqendruar te mënyra se si lënda plasëse përfundoi në rrugë dhe, mbi të gjitha, nëse ajo ishte vendosur me qëllim për t’u përdorur ndaj një personi apo objekti të caktuar.
Kush ishte shënjestra?
Kjo është një nga pyetjet që pritet të marrë përgjigje nga hetimet. Deri në këto momente, Policia nuk ka bërë të ditur nëse bëhet fjalë për një atentat të parandaluar, një kërcënim apo një rast tjetër.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për mbledhjen e provave dhe dokumentimin e plotë të rrethanave. Pjesë e hetimeve pritet të jetë edhe verifikimi i kamerave të sigurisë në zonën ku u gjet lënda plasëse, si dhe identifikimi i personave që mund të kenë lidhje me vendosjen e saj.
Për momentin, mbetet e paqartë nëse aparati celular ishte menduar si pjesë e një mekanizmi për aktivizimin e eksplozivit apo nëse kishte një tjetër funksion. Hetimi pritet të përcaktojë edhe këtë rrethanë.



