Kryeministri i ri britanik, Andy Burnham, është përballur me kritika që në fjalimin e tij të parë në Parlament, pasi vendosi të shpjegojë problemet e sotme të Britanisë duke iu rikthyer politikave të Margaret Thatcher dhe vendimit për Brexit.
Në seancën e parë plenare pas rifillimit të sesionit parlamentar, Burnham kritikoi politikat e ish-kryeministres konservatore Margaret Thatcher, e cila drejtoi Britaninë gjatë viteve ’80, si dhe vendimin për organizimin e referendumit për Brexit, të marrë gjatë qeverisjes së David Cameron.
Qasja e kryeministrit të ri është cilësuar nga kundërshtarët si një kthim pas në historinë politike të vendit. Burnham, një politikan i qendrës së majtë dhe ndër figurat më të majta të politikës britanike në dekadat e fundit, e ka bërë të qartë se synon një rol më të madh të shtetit në ekonomi dhe në shërbimet publike.
Ai pranoi se pas dy vitesh qeverisje laburiste nën drejtimin e paraardhësit të tij, Sir Keir Starmer, kostoja e jetesës mbetet një problem i madh për shumë britanikë. Sipas Burnham, qeveria e tij do të ndërhyjë më fort në sektorët strategjikë dhe do të shqyrtojë mundësinë e marrjes nën kontroll publik të shërbimeve kryesore, përfshirë ujësjellësit dhe shpërndarjen e energjisë elektrike.
Një tjetër pjesë e rëndësishme e programit të tij është decentralizimi i pushtetit. Burnham ka premtuar transferimin e më shumë kompetencave te autoritetet lokale në të gjithë vendin, ndërsa një pjesë më e madhe e institucioneve qeveritare pritet të zhvendoset nga Londra drejt Mançesterit dhe zonave të Anglisë qendrore dhe veriore.
Për Burnham, ky është edhe një rikthim te politika e tij e njohur si kryebashkiak i Mançesterit, qytetit të dytë më të madh britanik pas Londrës. Gjatë asaj kohe ai u bë i njohur me nofkën “Mbreti i Veriut”.
Në fjalimin e tij, kryeministri i ri premtoi gjithashtu të rishikojë një pjesë të reformave të Margaret Thatcher. Sipas tij, gjatë periudhës së Thatcher-it pushteti politik u centralizua, ndërsa ekonomia u orientua drejt privatizimit dhe vendi përjetoi një proces të fortë çindustrializimi, që sipas Burnham dëmtoi rëndë pushtetin lokal.
Edhe Brexit zë një vend të rëndësishëm në vizionin e kryeministrit të ri. Komentet e tij sugjerojnë se ai mund të jetë i gatshëm të ecë më shpejt se Starmer në përpjekjet për të zbutur pasojat e daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian dhe për të rishikuar disa prej pasojave të referendumit.
Në planin ekonomik, Burnham argumenton se Brexit ka ndikuar negativisht në rritjen e Britanisë gjatë dekadës së fundit. Ndërkohë, në bashkëpunim me Liberal Demokratët, një tjetër objektiv i qeverisë së tij pritet të jetë ndryshimi i sistemit zgjedhor maxhoritar.
Burnham ka pasur deri tani një verë relativisht të qetë në aspektin politik, ndërsa Parlamenti ka qenë i mbyllur. Por periudha e qetësisë pritet të marrë fund me rikthimin e aktivitetit parlamentar dhe përballjen me testet e para politike.
Një prej tyre do të jetë gara e parakohshme në Londër, pas vendimit të Keir Starmer për t’u larguar nga Parlamenti si deputet. Në të njëjtën kohë, në skenën politike britanike kanë qarkulluar spekulime se Starmer mund të jetë kandidat për postin e ardhshëm të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s.
Për Burnham, këto zhvillime do të jenë një nga testet e para të aftësisë së tij për të kthyer premtimet e një programi të majtë në politika konkrete, në një kohë kur kostoja e jetesës, ekonomia dhe marrëdhëniet me Europën mbeten ndër çështjet më të debatueshme në Britani.



