Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve kanë reaguar për bllokimin e pagave të magjistratëve dhe punonjësve të administratës së gjyqësorit dhe prokurorisë.
Në një deklaratë të përbashkët, shoqatat e cilësojnë të papranueshme situatën e krijuar dhe kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga Ministria e Financave për ekzekutimin e pagave.
Sipas tyre, pagat e magjistratëve janë përllogaritur sipas formulës së përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese dhe janë dërguar për pagesë, por procesi është bllokuar në fazën e ekzekutimit financiar nga strukturat e Thesarit.
Bëhet fjalë për zbatimin e vendimit nr. 15, datë 17 shkurt 2026 të Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton mënyrën e re të përllogaritjes së pagave të magjistratëve. Formula e re zbatohet edhe në mënyrë prapavepruese për periudhën nga 1 prilli 2023 deri më 31 korrik 2026.
Në zbatim të këtij vendimi, Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi më 26 gusht pagën referuese bazë të magjistratit, ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë e miratoi atë më 28 gusht.
Megjithatë, sipas shoqatave, pavarësisht se pagat janë përllogaritur dhe listëpagesat janë dërguar, ato nuk po ekzekutohen për pjesën më të madhe të sistemit të drejtësisë.
Përjashtim bëjnë vetëm dy zyra prokurorie, ku pagat e magjistratëve janë ekzekutuar tashmë sipas përllogaritjes së re.
Shoqatat e konsiderojnë këtë situatë veçanërisht shqetësuese, pasi, sipas tyre, fakti që pagesat janë kryer në dy zyra prokurorie tregon se zbatimi financiar i vendimeve është i mundur.
“Është e papranueshme që një vendim i Gjykatës Kushtetuese, përfundimtar dhe detyrues, të mbetet pa efekt praktik”, thuhet në reagim.
Sipas tyre, problemi nuk prek vetëm magjistratët. Bllokimi i listëpagesave ka sjellë pasoja edhe për punonjësit e administratës gjyqësore dhe të prokurorisë, të cilët gjithashtu nuk kanë marrë pagat në afatet përkatëse.
Shoqatat paralajmërojnë se vonesat mund të sjellin edhe pasoja të tjera financiare për institucionet publike, për shkak të detyrimeve të papaguara.
Në fund të reagimit, ato i kërkojnë Ministrisë së Financave dhe në mënyrë të veçantë ministrit të Financave që të ndërhyjnë menjëherë për zhbllokimin e situatës dhe garantimin e pagesave.
Unioni i Gjyqtarëve, Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve dhe Shoqata e Prokurorëve bëjnë të ditur gjithashtu se do ta ndjekin nga afër situatën dhe, nëse nuk gjendet një zgjidhje e menjëhershme, do të përdorin të gjitha mjetet ligjore në dispozicion, përfshirë kërkimin e përgjegjësive për personat dhe strukturat që kanë penguar ose nuk kanë kryer pagesat.



