KreuAktualitetPolitikaPagat e magjistratëve/ Ministria e Financave “frenon” KLGJ dhe KLP: Nuk mund...

Pagat e magjistratëve/ Ministria e Financave “frenon” KLGJ dhe KLP: Nuk mund të zëvendësojmë Kuvendin

Ministria e Financave ka reaguar për kërkesën për zhbllokimin e pagave të magjistratëve dhe personelit të sistemit të drejtësisë, duke sqaruar se pagat nuk janë bllokuar.

Sipas Ministrisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë kanë paraqitur listëpagesat e muajit gusht mbi një metodologji të ndryshme nga ajo që është aktualisht në fuqi.

Në një letër drejtuar KLGJ-së dhe KLP-së, ministri i Financave, Petrit Malaj, kërkon që listëpagesat dhe urdhërshpenzimet e muajit gusht të paraqiten sërish sipas metodologjisë së përdorur deri në muajin korrik.

Malaj argumenton se ndryshimet e reja në pagat e magjistratëve ende nuk janë miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë.

Sipas ministrit të Financave, vendimi nr. 15, datë 17.02.2026, i Gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe detyrues, por zbatimi i tij kërkon ndryshimet ligjore përkatëse, të cilat janë lënë për miratim në Kuvend.

“Ministria e Financave as nuk mund të zëvendësojë Kuvendin në ushtrimin e funksionit normativ, as nuk mund të përcaktojë, nëpërmjet procedurave të ekzekutimit buxhetor, formulën konkrete të pagës dhe aq më pak mund të ekzekutojë urdhra që vijnë nga autoritete të nderuara të pushtetit gjyqësor, të cilat nuk e kanë autoritetin ekskluziv parlamentar të miratimit të ndryshimeve në buxhetin e shtetit shqiptar”, tha Malaj.

Në këtë kuadër, ministri i Financave i kërkon KLGJ-së dhe KLP-së që të paraqesin pa vonesë listëpagesat e muajit gusht sipas parametrave të përdorur në listëpagesën e muajit korrik, në mënyrë që pagesat të mund të procedohen menjëherë.

“Sapo strukturat e Thesarit të disponojnë listëpagesat sipas parametrave në fuqi, ato do të procedojnë me përparësi dhe do të kryejnë pa vonesë pagesat”, u shpreh Malaj.

Ministria e Financave deklaron se, nëse Kuvendi miraton ndryshimet e kërkuara, institucioni do të marrë menjëherë masat për zbatimin e tyre të plotë.

Kujtojmë se më 26 gusht, KLGJ-ja dhe, dy ditë më pas, KLP-ja përcaktuan vetë pagën referencë të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke parashikuar një rritje të konsiderueshme.

Dy institucionet e justifikuan vendimin me faktin se Kuvendi nuk kishte miratuar një formulë të re brenda 31 korrikut, pavarësisht detyrimit që rridhte nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat