Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta nga foltorja e Kuvendit lidhur me dosjen e ish-drejtores së SHISH, Vlora Hyseni.
Gjatë fjalës së tij, Berisha la të kuptohet se ka dijeni për përmbajtjen e dosjes së GJKKO-së dhe për komunikimet që janë pjesë e hetimit. Ai iu drejtua drejtpërdrejt deputetit socialist Damian Gjiknuri.
“Damian, mos ma ul kokën. Por shiko se sa herë ke shkuar aty”, tha Berisha nga foltorja e Kuvendit, duke lënë të kuptohet se emri i Gjiknurit shfaqet në komunikimet që lidhen me çështjen Hyseni.
Më pas, Berisha iu drejtua edhe deputetit socialist Ulsi Manja.
“Ulsi, shiko sa herë të del emri aty në atë dosje. Shiko ti”, tha ai, duke pretenduar se emri i Manjës përmendet në dosjen që lidhet me hetimet.
Berisha hodhi gjithashtu pretendime se pajisjet e përdorura për sigurinë kombëtare janë vënë në funksion të personave të lidhur me botën e krimit.
“Dhe shikoni se në atë studio me mjetet më të sofistikuara të blera nga partnerët ndërkombëtarë për sigurinë kombëtare, janë përdorur të gjitha në funksion të Troplinëve, Çelëve dhe bandave të tjera”, deklaroi ai.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së pretendoi gjithashtu se në dosje ka përgjime të reja dhe se për disa deputetë socialistë ekzistojnë edhe materiale filmike.
Pretendimet e Berishës u bënë në Kuvend dhe nuk përbëjnë në vetvete konstatime gjyqësore. Hetimi ndaj Vlora Hysenit vijon nga SPAK, ndërsa ajo ndodhet nën masën e “arrestit në shtëpi”, në kuadër të çështjes që lidhet me Ergys Agasin dhe hetimet për AKSHI-n.



