Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Rreth orës 12:00 të mesditës së sotme, teksa studentët ishin grumbulluar para Ministrisë së Arsimit në kuadër të protestës, komandanti i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH) zhvilloi një komunikim me të rinjtë që ndodheshin në vijën e parë të tubimit.
Gjatë bisedës, komandanti u bëri thirrje studentëve që të vijonin protestën në mënyrë paqësore dhe të mos përdornin gurë kundër efektivëve të policisë, duke paralajmëruar se në rast të kundërt, policia do të përgjigjej me ujë.
“Ju vaftë mbarë, vazhdoni protestën në mënyrë paqësore. Nuk ka civilë. Mos godisni me gurë. Nëse godisni me gurë, do ju përgjigjemi me ujë”, dëgjohet t’u thotë komandanti të rinjve.
Nga ana tjetër, studentët i kërkuan atij të hiqte kapelen dhe kërkuan largimin e efektivëve civilë nga turma, duke ngritur shqetësime për praninë e tyre gjatë protestës.
Komandanti u përgjigj se nuk kishte dijeni për praninë e personave civilë brenda turmës.
Gjatë komunikimit, të rinjtë e pyetën gjithashtu për efektivët që, sipas tyre, kishin goditur studentët me gurë gjatë protestës së një dite më parë. Për këtë çështje, komandanti u shpreh se efektivët përgjegjës do të mbajnë përgjegjësi.
Komunikimi u zhvillua në një moment kur studentët vijonin protestën para Ministrisë së Arsimit, ndërsa situata dhe qëndrimi i forcave të policisë mbeteshin në vëmendjen e protestuesve.



