KreuAktualitetPolitika“Dil përballë qytetarëve, mos u fshih pas 82 mandateve”/ Spiropali i kërkon...

“Dil përballë qytetarëve, mos u fshih pas 82 mandateve”/ Spiropali i kërkon dorëheqjen Ramës

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Elisa Spiropali i ka drejtuar një letër të gjatë kryeministrit Edi Rama, ku kërkon ndryshim të mënyrës së qeverisjes, përgjegjësi politike dhe dialog me qytetarët, në një kohë kur protestat në Tiranë janë përshkallëzuar. Në mesazhin e saj, Spiropali paralajmëron se shumica parlamentare nuk mund të zëvendësojë besimin e qytetarëve dhe i kërkon Ramës të mos e shohë protestën vetëm si kërcënim për pushtetin.

E titulluar “Letër Edi Ramës”, deklarata e Spiropalit nis me një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit: ta shohë protestën nga këndvështrimi i njerëzve që ndihen të padëgjuar, të papërfaqësuar dhe të zhgënjyer nga qeverisja.

Ajo e lidh zemërimin e qytetarëve me një pakënaqësi që, sipas saj, është krijuar prej kohësh, duke përmendur si pikënisje vendosjen e kangjellave, të cilat u kthyen në simbol të distancës mes pushtetit dhe qytetarëve.

“Gjithçka nisi me kangjellat që u vendosën për të ndarë njerëzit nga hapësira e tyre, qytetarin nga qyteti, protestën nga institucioni”, shkruan Spiropali.

Sipas saj, situata ka kaluar nga zemërimi te përplasjet, ndërsa pamjet e Tiranës në flakë janë të dhimbshme për këdo që e do vendin. Ajo thekson se dhuna nuk mund të jetë rruga e ndryshimit politik, por as përgjigjja e qeverisë nuk mund të kufizohet vetëm te shuarja e zjarrit.

“82 mandatet nuk janë për të mos dhënë llogari”

Një nga mesazhet më të forta të letrës lidhet me shumicën parlamentare të Partisë Socialiste. Spiropali i kujton Ramës se mandatet e fituara në zgjedhje janë përgjegjësi për të qeverisur të gjithë qytetarët, përfshirë ata që nuk e kanë votuar PS-në.

“82 mandatet nuk janë mandat për të mos dhënë llogari. Janë përgjegjësi për të qeverisur edhe për ata që nuk na kanë votuar”, shprehet ajo.

Spiropali i kërkon kryeministrit të dalë përballë qytetarëve, të pranojë problemet dhe të marrë vendime konkrete.

“Jep zgjidhje politike. Pa tabu, pa kufij dhe pa frikë. Dil përballë qytetarëve”, është thirrja e saj.

Në letër, ajo argumenton se protestat nuk lidhen vetëm me kangjellat, por edhe me pakënaqësitë për mënyrën se si merren vendimet, punësimin, ekonominë, drejtësinë dhe mungesën e konkurrencës së ndershme.

“Një qytetar që humbet vendin e punës apo nuk promovohet sepse nuk pranon të bëhet pjesë e asnjë pazari, nuk është statistikë”, shkruan Spiropali, duke shtuar se edhe bizneset që mbyllen për shkak të mungesës së lidhjeve me pushtetin dhe familjet që presin me vite drejtësi janë pjesë e një problemi më të gjerë.

Kërkon dialog kombëtar dhe ndryshime në sistemin politik

Spiropali kërkon që kriza të marrë një përgjigje politike përmes një tryeze të vërtetë dialogu kombëtar. Ajo propozon diskutime për reformat themelore, një sistem zgjedhor konsensual që garanton përfaqësim real, ndarjen e partisë nga shteti dhe çlirimin e institucioneve nga instrumentalizimi politik.

Ajo kritikon gjithashtu varësinë e deputetëve nga listat e mbyllura dhe interesat e mbijetesës politike.

“Një deputet duhet t’i përgjigjet qytetarit, jo vetëm kryetarit të partisë”, thekson Spiropali.

Sipas saj, parlamenti nuk duhet të shndërrohet në një institucion ku numërohen votat, ndërsa zërat e qytetarëve humbasin.

“Mos përforco mitin e pazëvendësueshmërisë”

Një pjesë e rëndësishme e letrës i kushtohet vetë Partisë Socialiste. Spiropali i kërkon Ramës të hapë një proces ndryshimesh brenda partisë, duke promovuar meritën, përgjegjësinë dhe një brez të ri drejtuesish.

“Mblidhi strukturat e PS të marrin vendime. Udhëhiqe procesin e ndryshimeve, mos përforco mitin e pazëvendësueshmërisë. Duhet të kalojmë nga kultura e individit në kulturën e institucionit”, shkruan ajo.

Ajo shton se një parti që nuk di të ndryshojë nga brenda mund të detyrohet të ndryshojë nga jashtë.

Në të njëjtën kohë, Spiropali thekson se as rotacioni politik dhe as zgjedhjet e reja nuk duhet të trajtohen si tabu, nëse ato bëhen pjesë e një zgjidhjeje demokratike, me garanci për konkurrencë të lirë dhe pjesëmarrje.

“Korrupsioni nuk luftohet vetëm me SPAK”

Në letrën drejtuar Ramës, Spiropali ngre edhe çështjen e korrupsionit, duke argumentuar se lufta kundër tij nuk mund të mbështetet vetëm te organet e drejtësisë.

“Korrupsioni nuk luftohet vetëm me SPAK apo prokurori. Luftohet duke ndërtuar një model ekonomik dhe institucional ku konkurrenca është e ndershme dhe suksesi nuk varet nga lidhjet me pushtetin”, shkruan ajo.

Ajo kërkon që administrata të mos përdoret për presion, punësimi të mos varet nga lidhjet politike dhe institucionet të mos mbrojnë vetëm të fuqishmit.

“Përgjegjësia ligjore nuk e përjashton përgjegjësinë politike”, thekson Spiropali.

Sipas saj, shteti nuk duhet të vlerësohet vetëm nga investimet dhe shifrat e rritjes ekonomike, por edhe nga drejtësia, mundësitë dhe dinjiteti që u garanton qytetarëve.

“Nuk mund të kërkojmë qetësi duke mbyllur gojën e të rinjve”

Duke iu referuar protestave, Spiropali paralajmëron se qetësia nuk mund të arrihet duke heshtur të rinjtë dhe duke shpërfillur pakënaqësinë e tyre.

“Nuk mund të kërkojmë qetësi duke mbyllur gojën e të rinjve, sado çjerrës të jetë zëri i revoltuar. Qetësia e vërtetë nuk është mungesa e zhurmës; është prania e drejtësisë”, shkruan ajo.

Spiropali i kërkon Ramës të mos e konsiderojë protestën vetëm një kërcënim për pushtetin, por një mundësi për të kuptuar problemet e vendit dhe për të ndryshuar mënyrën e qeverisjes.

“Pushteti nuk rrëzohet gjithmonë nga kundërshtarët. Shpesh rrëzohet nga paaftësia për të kuptuar kohën”, shprehet ajo.

Në fund të letrës, Spiropali i drejtohet Ramës edhe në planin personal, duke i kujtuar figurën e tij të dikurshme si idealist dhe intelektual.

“Ti idealisti i dikurshëm, Ti intelektuali që tallej me banalitetin dhe në 2013 shumë të djathtë të panë me simpati – mundesh!”, shkruan ajo.

Mesazhin e saj, Spiropali e mbyll me një thirrje për të vendosur vendin mbi interesat partiake dhe pushtetin.

“Shqipëria mbi të gjitha. Jo partia mbi të gjitha. As pushteti mbi të gjitha. Tani nuk mjafton të fitosh zgjedhje. Tani duhet të rikthesh besimin. Tani duhet të fitojë Shqipëria.”

Letra vjen në një moment tensionesh politike dhe protestash në kryeqytet. Në thelb të saj është kërkesa për përgjegjësi politike, dialog dhe ndryshime në mënyrën se si funksionojnë qeveria, Partia Socialiste dhe institucionet.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat