KreuAktualitetKronikëShenja dhune te 26 të arrestuar/ Të arrestuarit flenë në dysheme, mungojnë...

Shenja dhune te 26 të arrestuar/ Të arrestuarit flenë në dysheme, mungojnë uji dhe ngrohja

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Kushtet në ambientet ku po mbahen personat e arrestuar gjatë protestave të katër ditëve të fundit në Tiranë janë cilësuar të papranueshme nga Avokati i Popullit. Në raportin paraprak të publikuar më 16 tetor, institucioni evidenton mbipopullim në të gjitha komisariatet e inspektuara, mungesë të kushteve bazë të higjienës dhe ngrohjes, si dhe persona me shenja të dukshme dhune.

Drejtuesi i institucionit, Endrit Shabani, bëri të ditur se ekipet e Mekanizmit Kombëtar për Parandalimin e Torturës kanë kontaktuar 214 persona të privuar nga liria gjatë 72 orëve të fundit, duke administruar ankesa dhe duke verifikuar rastet e raportuara.

Të arrestuarit flenë në dysheme, familjarët sigurojnë ujin

Një nga problematikat kryesore të evidentuara lidhet me kushtet në Bllokun e Sigurisë, ku, sipas raportit, të arrestuarit detyrohen të flenë dy persona në një shtrat ose mbi sfungjerë të vendosur në dysheme.

“Mungojnë batanijet dhe ngrohja. Uji i pijshëm sigurohej nga familjarët. Mungojnë sapuni dhe letra higjienike. Shërbimi mjekësor është i pjesshëm përballë kërkesave të shumta”, thuhet në raportin paraprak.

Avokati i Popullit thekson se në të gjitha komisariatet e inspektuara ambientet ishin mbi kapacitet. Për këtë arsye, institucioni i kërkon Ministrisë së Brendshme ndërhyrje të menjëhershme për të garantuar ujë, ushqim, shtretër, ngrohje, kushte higjienike dhe shërbim mjekësor në çdo kohë.

Shenja dhune te 26 persona, ankesa për policë pa shenja identifikuese

Raporti evidenton gjithashtu persona me shenja të dukshme dhune. Sipas Shabanit, për 26 persona të mbajtur në Bllokun e Sigurisë, pretendimet dhe shenjat e konstatuara janë pasqyruar në procesverbalet përkatëse.

Institucioni ka marrë edhe ankesa për punonjës policie me veshje civile, të cilët, sipas denoncimeve, nuk mbanin shenja identifikuese.

“Pjesa tjetër e ankesave lidhej me ushtrimin e dhunës gjatë shoqërimit, mosofrim të kujdesit mjekësor dhe kalim të afateve për masën e sigurisë”, bëri të ditur Shabani, duke theksuar se çështja e identifikimit të punonjësve të policisë do të shqyrtohet me përparësi.

Avokati i Popullit kërkon që çdo punonjës policie që merr pjesë në operacione të jetë plotësisht i identifikueshëm, duke argumentuar se kjo është e nevojshme si për mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimet, ashtu edhe për mbrojtjen e efektivëve nga akuzat e pabazuara.

Të mitur të marrë në pyetje pa prindër dhe psikolog

Shqetësim të veçantë paraqesin edhe rastet e të miturve të ndaluar. Sipas raportit, gjatë inspektimeve janë evidentuar të mitur që janë marrë në pyetje pa praninë e prindit ose kujdestarit dhe të psikologut.

Avokati i Popullit vlerëson se këto raste nuk përputhen me kërkesat ligjore dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve.

Shabani bëri të ditur gjithashtu se institucioni po verifikon dëshmi lidhur me rreth 12 të mitur që dyshohet se janë mbajtur të izoluar në ambientet e një ministrie. Ai theksoi se për këtë rast do të ketë një raportim të mëtejshëm, pasi të përfundojë verifikimi.

214 persona të kontaktuar, 128 morën shërbim në Traumë

Sipas të dhënave të bëra publike nga Avokati i Popullit, në 72 orët e fundit ekipet kanë inspektuar komisariatet nr. 1 deri në nr. 6 në Tiranë, Bllokun e Sigurisë, Spitalin e Traumës dhe komisariatet në Korçë, Vlorë e Shkodër.

Në Spitalin e Traumës, gjatë datave 14 dhe 15 tetor, kanë marrë shërbim 128 persona. Në deklaratë përmenden 86 punonjës policie, 38 protestues dhe 5 të mitur. Një pjesë e tyre janë intervistuar nga përfaqësuesit e institucionit dhe kanë paraqitur ankesat e tyre.

Avokati i Popullit thekson se monitorimi përfshin të drejtat e të gjithë personave të prekur nga protestat, përfshirë protestuesit, qytetarët e rastësishëm, pronarët e bizneseve të dëmtuara dhe punonjësit e policisë.

Institucioni dënon çdo formë dhune, qoftë ndaj protestuesve apo efektivëve, si dhe dëmtimin e pronës publike dhe private. Në të njëjtën kohë, nënvizon se përdorimi i forcës nga policia duhet të jetë i domosdoshëm dhe proporcional.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat