Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Sandër Kovaçi, i cili është shfaqur në protestat kundër qeverisë, ka një karrierë që nis në strukturat e inteligjencës, më tej në diplomaci dhe në auditorët universitarë, duke u bërë një nga zërat publikë të sindikatës së pedagogëve.
Kovaçi ka drejtuar Departamentin e Analizës në Shërbimin Informativ të Shtetit gjatë viteve 2013–2015, ndërsa më herët ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Slloveni, nga viti 2008 deri në vitin 2013. Ai është gjithashtu pedagog në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe drejtues i Sindikatës së Pedagogëve.

E kaluara e tij në shërbimin sekret është rikthyer në vëmendje edhe për shkak të deklaratave që Kovaçi ka bërë publikisht për kohën kur punonte në këtë institucion. Në vitin 2022, gjatë protestave të pedagogëve, ai e cilësoi si “punë të shkëlqyer” përvojën e tij në SHIK, në periudhën kur institucioni drejtohej nga Bashkim Gazidede.
Emri i Kovaçit u bë më i njohur gjatë përplasjes me qeverinë për pagat e pedagogëve. Në atë kohë, kryeministri Edi Rama e akuzoi për politizim të protestave, ndërsa Kovaçi këmbënguli te kërkesat për rritjen e pagave dhe përmirësimin e kushteve në universitete.
Tashmë, qëndrimet e tij kanë marrë një dimension më të gjerë politik. Në protestat aktuale, Kovaçi është pozicionuar kundër qeverisë dhe ka kërkuar largimin e Ramës, ndërsa sindikata e pedagogëve ka shpallur bojkot të mësimdhënies në mbështetje të studentëve.
Kovaçi është shfaqur në krye të grupit të pedagogëve që mbështesin protestat studentore. Ai ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe ka kundërshtuar mënyrën se si qeveria është përballur me protestuesit.
Më 20 tetor, Sindikata e Universiteteve njoftoi vendimin për bojkotimin e mësimdhënies në universitetet publike, në shenjë solidariteti me studentët dhe nxënësit. Sipas deklaratës së publikuar, sindikata kërkoi arsim cilësor, llogaridhënie dhe hetim të plotë e të pavarur për dhunën e ushtruar ndaj studentëve.
Në të njëjtat protesta janë shfaqur edhe Argita Berisha dhe bashkëshorti i saj, Jamarbër Malltezi. Prania e tyre, së bashku me qëndrimet e Kovaçit kundër qeverisë, ngre dyshime për dimensionin politik të protestës.
Prandaj pyetja është se sa përfaqësohet në këtë lëvizje agjenda konkrete e studentëve dhe sa ndërthuret ajo me objektivin politik për largimin e qeverisë?
E Vërteta.al
Rikthehet kërcënimi i bojkotit në universitete/ Përsëritet skenari i vitit 2022?



