KreuDrejtësiaKasaforta, grirëse letrash, 8 makina dhe psikolog/ Çfarë do të blejë SPAK...

Kasaforta, grirëse letrash, 8 makina dhe psikolog/ Çfarë do të blejë SPAK me buxhetin e vitit 2027?

Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR

 

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka paraqitur kërkesat buxhetore për vitin 2027, ku krahas investimeve në teknologji dhe shtimit të personelit, ka kërkuar edhe një psikolog institucional për të mbështetur punonjësit e saj, veçanërisht hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH).

Kërkesa për psikologun është argumentuar me presionin psikologjik, kërcënimet dhe ngarkesën e lartë me të cilat përballen hetuesit gjatë ushtrimit të detyrës. Përveç mbështetjes për stafin, psikologu do të ketë rol edhe gjatë proceseve hetimore, duke asistuar në intervistimin e dëshmitarëve të rrezikuar dhe bashkëpunëtorëve të drejtësisë.

Kjo kërkesë u bë e ditur gjatë raportimit të përfaqësuesve të SPAK në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, ku u diskutua projektbuxheti i institucionit për vitin e ardhshëm.

Drejtori i buxhetit dhe menaxhimit financiar në SPAK, Armand Shini, shpjegoi se nevoja për një psikolog institucional lidhet drejtpërdrejt me natyrën e veçantë të punës së hetuesve të BKH-së.

“Stafi i BKH-së përballet me presione psikologjike, me kërcënime dhe ngarkesë të lartë që karakterizojnë natyrën e veprimtarisë hetimore. Psikologu do të asistojë edhe në intervistat që do të bëjnë hetuesit, për dëshmitarët e rrezikuar, por edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë. Do të shërbejë edhe për procesin hetimor”, deklaroi Shini.

15 milionë lekë për kasaforta, grirëse letrash dhe mobilim

Përveç kërkesës për psikologun, SPAK ka parashikuar edhe një sërë shpenzimesh për pajisjen e zyrave dhe funksionalizimin e ambienteve të reja.

Për këtë qëllim janë planifikuar 15 milionë lekë, të cilat do të përdoren për mobilje zyre, pajisje për ambientet mbështetëse, kasaforta dhe grirëse letrash. Investimet lidhen me zgjerimin e personelit dhe nevojën për të pajisur godinën e re me infrastrukturën e nevojshme për funksionimin e institucionit.

Në projektbuxhetin e vitit 2027 janë parashikuar gjithashtu 30 milionë lekë për blerjen e tetë automjeteve, ndërsa një tjetër zë i konsiderueshëm është ai i teknologjisë. Për pajisje elektronike dhe infrastrukturë teknologjike janë planifikuar 174 milionë lekë.

Buxheti i SPAK rritet në 2.32 miliardë lekë

Gjatë raportimit, prokurori Alfred Shehu bëri një pasqyrim të rritjes së buxhetit të institucionit në vitet e fundit, duke theksuar se fondet janë shtuar në përputhje me zgjerimin e aktivitetit dhe rritjen e volumit të punës.

Sipas tij, buxheti i SPAK është rritur nga 327 milionë lekë në vitin 2020 në 2.3 miliardë lekë në vitin 2026, duke shënuar një rritje prej 608%.

Për vitin 2027, projektbuxheti i propozuar arrin në 2.32 miliardë lekë. Rritja e fondeve lidhet kryesisht me shtimin e numrit të punonjësve, zgjerimin e veprimtarisë hetimore dhe nevojën për të përballuar detyrat që ka institucioni.

Një nga problematikat e evidentuara gjatë raportimit ishte numri i lartë i vendeve vakante në strukturën e SPAK dhe BKH-së.

Aktualisht, struktura organike e institucionit parashikon 339 pozicione pune, nga të cilat 161 i përkasin Prokurorisë së Posaçme dhe 178 Byrosë Kombëtare të Hetimit. Megjithatë, numri efektiv i punonjësve është 220, përkatësisht 136 në SPAK dhe 84 në BKH.

Kjo do të thotë se 119 pozicione rezultojnë ende të paplotësuara, ku 25 prej tyre i përkasin Prokurorisë së Posaçme, ndërsa pjesa tjetër BKH-së.

Për vitin 2027, SPAK ka kërkuar shtimin e 25 pozicioneve të reja në strukturën organike, tetë në Prokurorinë e Posaçme dhe 17 në BKH.

SPAK kërkon 94 hetues të rinj, kanë nisur procedurat për 40

Nevoja për shtimin e burimeve njerëzore mbetet një nga çështjet kryesore për institucionin. Gjatë diskutimeve u bë e ditur se kanë nisur procedurat për rekrutimin e 40 hetuesve të rinj, ndërsa sipas Shehut, nevojitet shtimi i 94 hetuesve.

Paralelisht, janë paraqitur edhe 57 kërkesa për punonjës shtesë në administratë.

Prokurori shpjegoi se plotësimi i vendeve vakante është një proces që kërkon kohë, pasi kandidatët duhet t’i nënshtrohen verifikimit të dokumentacionit, testimeve dhe kontrolleve për pasurinë dhe figurën.

Nga ana tjetër, gjatë diskutimit në komision, deputetja Evis Kushi ngriti çështjen e realizimit të buxhetit dhe të vendeve të paplotësuara në strukturën e institucionit, duke kërkuar sqarime mbi fondet që pritet të shpenzohen deri në fund të vitit dhe mënyrën se si do të realizohet zgjerimi i organikës.

Ajo vuri në dukje se pjesën më të madhe të buxhetit e zënë pagat dhe sigurimet shoqërore, ndërsa investimet përqendrohen kryesisht te teknologjia, pajisjet elektronike, siguria kibernetike dhe infrastruktura e godinave.

Hetimet e korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar

Përveç nevojave financiare dhe organizative, SPAK ka përcaktuar edhe prioritetet e punës për vitin 2027.

Sipas prokurorit Alfred Shehu, në fokus do të jenë hetimet për rastet komplekse të korrupsionit, veçanërisht korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar.

Një tjetër drejtim i rëndësishëm do të jetë zhvillimi i hetimeve financiare paralele, me synim identifikimin dhe sekuestrimin e produkteve të veprave penale.

Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet gjithashtu rrjeteve kriminale që veprojnë në disa juridiksione, ndjekjes penale të pastrimit të parave dhe gjurmimit të pasurive me burim kriminal, si brenda Shqipërisë, ashtu edhe jashtë saj.

Për investimet kapitale, SPAK nuk ka paraqitur kërkesa shtesë për financime jashtë tavaneve buxhetore të përcaktuara për periudhën 2027-2029, duke bërë të ditur se nevojat janë parashikuar brenda fondeve të planifikuara.

spot_img
ARTIKUJ TË NGJASHËM
- Advertisment -spot_img

Më të Lexuarat