Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo, ka deklaruar se suksesi i Policisë së Shtetit nuk duhet të matet vetëm me numrin e arrestimeve dhe operacioneve të zhvilluara, por mbi të gjitha me nivelin e sigurisë që përjetojnë qytetarët dhe aftësinë e institucioneve për të kufizuar veprimtarinë e grupeve kriminale.
Deklaratat u bënë gjatë konferencës së përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza-s, ku u prezantuan rezultatet e monitorimit ajror të territorit shqiptar gjatë vitit 2026.
Duke folur për bashkëpunimin 15-vjeçar mes dy institucioneve, Demo e cilësoi atë si një dëshmi të besimit dhe koordinimit operacional mes Shqipërisë dhe Italisë, ndërsa theksoi se lufta kundër krimit nuk duhet të kthehet në një garë statistikash.
“Për mua, suksesi i Policisë nuk matet vetëm me numrin e operacioneve, arrestimeve apo hektarëve të kontrolluar. Këto janë tregues të rëndësishëm që na ndihmojnë për të kuptuar se çfarë kemi bërë dhe ku duhet të përmirësohemi, por matësi përfundimtar është se sa të sigurt ndihen qytetarët dhe sa më pak hapësirë kanë grupet kriminale për të operuar në territor”, deklaroi ministri.
Ai vuri theksin edhe te mbrojtja e të rinjve dhe fëmijëve nga fenomenet negative, duke argumentuar se detyra e Policisë është të garantojë më shumë siguri dhe qetësi për qytetarët.
Një pjesë të rëndësishme të fjalës së tij Demo ia kushtoi goditjes së financave të grupeve kriminale. Sipas tij, arrestimi i personave të përfshirë në aktivitetet e paligjshme nuk mjafton për të dobësuar organizatat kriminale, nëse nuk goditen edhe burimet ekonomike që financojnë aktivitetin e tyre.
Në këtë drejtim, ministri vlerësoi rëndësinë e hetimeve të përbashkëta me autoritetet italiane, bashkëpunimin me strukturat antimafia dhe sekuestrimin e pasurive që burojnë nga aktivitetet kriminale.
Sipas tij, goditja e aseteve financiare është një nga mënyrat kryesore për të dobësuar kapacitetet e organizatave kriminale dhe për të penguar rikthimin e tyre në aktivitet, edhe pas arrestimit të anëtarëve të tyre.
Operacionet e përbashkëta me Italinë, nga 53 në 108
Duke iu referuar progres-raportit të fundit të Komisionit Europian, Demo bëri të ditur se operacionet policore të zhvilluara me partnerët ndërkombëtarë janë rritur ndjeshëm, nga 53 në 108 brenda një viti.
Ai e cilësoi Italinë një nga partnerët kryesorë të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve, ndërsa vlerësoi zgjerimin e bashkëpunimit operacional mes dy vendeve.
Një nga format e këtij bashkëpunimi është edhe monitorimi ajror i territorit shqiptar nga Guardia di Finanza, i cili këtë vit ka nisur që në muajin maj dhe ka vijuar deri në tetor.
Ministri përmendi gjithashtu 18 skuadrat e përbashkëta me Italinë, duke i cilësuar ato si dëshmi të nivelit të koordinimit dhe besimit mes institucioneve të të dy vendeve.
Demo: Siguria, kusht për integrimin europian
Gjatë fjalës së tij, ministri e lidhi bashkëpunimin në fushën e sigurisë edhe me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Sipas tij, siguria nuk është vetëm një çështje e rendit publik, por një kusht i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik, social dhe politik të vendit.
“Ne nuk mund të pretendojmë që një vend mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, social e politik, nëse nuk e ka sigurinë në nivelet e duhura. Ne nuk duhet ta shohim Europën thjesht si një destinacion ku duhet të përgatitemi dhe të mbrohemi edhe nga fenomenet që vijnë prej saj, por duhet të jemi kontribuues në sigurinë e Bashkimit Europian në tërësi”, u shpreh Demo.
Në përfundim, ai theksoi se grupet kriminale po ndryshojnë vazhdimisht mënyrat e financimit, rrugët e trafikimit dhe përdorimin e teknologjisë, çka kërkon përshtatje të vazhdueshme edhe nga strukturat ligjzbatuese.
Demo falënderoi autoritetet italiane për mbështetjen e dhënë ndër vite, duke nënvizuar se partneriteti mes dy vendeve nuk kufizohet vetëm në operacionet e përbashkëta, por kërkon një angazhim të vazhdueshëm për garantimin e sigurisë në Shqipëri dhe në hapësirën europiane.



