Mbështet E Vërteta.al . Nëse mendoni se gazetaria duhet të jetë e lirë, e verifikuar dhe pranë qytetarit, na ndihmoni të vazhdojmë. IBAN – Credins Bank AL50212110090000000002316105 SWIFT/BIC: CDISALTR
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, ka kërkuar përparim konkret në Reformën Zgjedhore, në prag të zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027. Gjatë një takimi me bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, ambasadori ka vënë theksin te nevoja për të përshpejtuar punën dhe për të arritur rezultate përpara përfundimit të mandatit të Komisionit.
Në fokus të diskutimeve ka qenë zbatimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, të cilat synojnë përmirësimin e procesit zgjedhor dhe adresimin e problematikave të evidentuara në zgjedhjet e mëparshme.
Tarran ka theksuar rëndësinë që këto rekomandime të përmbushen në kohën e duhur, përmes një procesi gjithëpërfshirës dhe me pjesëmarrjen e të gjitha forcave politike. Sipas tij, përparimi në reformën zgjedhore është thelbësor për forcimin e besimit të publikut te proceset zgjedhore.
Afati i Komisionit të Posaçëm përfundon më 30 nëntor, çka e bën edhe më të ngutshëm përfundimin e punës dhe gjetjen e një dakordësie mes mazhorancës dhe opozitës për ndryshimet e nevojshme.
Prezenca e OSBE-së ka rikonfirmuar gatishmërinë për të mbështetur dialogun politik dhe një proces reformimi që të përfshijë të gjitha palët.
Ndërkohë, një tjetër përpjekje për të vijuar punën e Komisionit do të bëhet nesër, kur është parashikuar mbledhja e radhës. Mbetet për t’u parë nëse Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi do të arrijnë të kapërcejnë mosmarrëveshjet dhe të gjejnë një kompromis për vijimin e reformës, në një kohë kur zgjedhjet vendore të vitit 2027 po afrohen.



